Transmetuar më 14-02-2023, 18:18

TIRANË- SPAK urdhëron arerstimin e 4 zyrtarëve të Bashkisë Dimal. Drejtori i Zyrës së Urbanistikës në Bashkinë Dimal, ish shefi i transportit në këtë bashki aktualisht drejtues te emergjencat, një ish shefe e Urbanistikës dhe ish drejtues i IKMT në këtë institucion janë arrestuar nga policia me kërkesë të SPAK pasi akuzohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Në pranga janë vënë edhe 2 punonjës të një firme private. Të gjithë janë lënë në burg, përveç ish-shefes së Urbanistikës.

NJOFTIMI I PLOTË I SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.214 të vitit 2020, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim të detyrës”, parashikuar nga nenet 259, 245/1 dhe 248 të Kodit Penal.

Pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 8 datë 12.02.2023, ka vendosur:

1. Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim A.Ç. (me detyrë shef transporti në kohën e kryerjes së veprës penal pranë Bashkisë Dimal), i dyshuar për veprat penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1 /2 dhe 25 i K.Penal dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/1 i K.Penal.

2. Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim A. P. (me detyrë drejtor i Zyrës së Urbanistikës, Bashkia Dimal), i dyshuar për veprat penale të “Shpërdorim detyre”, e kryer në bashkëpunim, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 248, 259/1, 245/1 dhe 25 i K.Penal.

3. Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim V. J. (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale shefe urbanistike pranë Bashkisë Dimal), e dyshuar për veprat penale të “Shpërdorim detyre”, e kryer në bashkëpunim dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 245/1, 259/1, 248 dhe 25 i K.Penal.

4. Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim A. Ç. (me detyrë shef i IKMT, Bashkia Dimal), i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal.

5. Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim A. D. (me profesion inxhinier pranë një shoqërie tregëtare), i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimit të Ndikimit të Paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i K.

6. Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim V. K. (me profesion ekonomist, menaxher i një shoqërie tregëtare), i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244 i K. Penal.

Në datën 14.02.2023, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka ekzekutuar masat e sigurimit të caktuara me vendimin nr.8 datë 12.02.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.