Transmetuar më 14-02-2023, 15:10

Materialet e ndihmës nga Kina duke u shkarkuar në aeroportin ndërkombëtar të Damaskut, në Siri, më 13 shkurt 2023. Një grup i dytë ndihme ndihme nga Shoqata e Kryqit të Kuq e Kinës arriti në Siri me avion të hënën me furnizime urgjente për banorët e prekur nga tërmetet në këtë vend. (Foto nga Ammar Safarjalani / "Xinhua")

Aeroplani i dytë me ndihma nga Kina arrin në Sirinë e goditur nga tërmetet

SIRI – Kontigjenti i dytë i ndihmës nga Shoqata e Kryqit të Kuq e Kinës arriti në Siri me avion të hënën, me furnizime urgjente për banorët e prekur nga tërmetet në këtë vend.

"Ndihma humanitare përfshin rroba dimërore, pajisje, barna dhe sende të tjera për të cilat sirianët kanë nevojë," u tha gazetarëve ambasadori kinez në Siri Shi Honguei në aeroportin ndërkombëtar të Damaskut, duke shtuar se do të dërgohet më shumë ndihmë në të ardhmen.

Ambasadori kinez i bëri gjithashtu thirrje Perëndimit të heqë sanksionet e vëna ndaj Sirisë, për të lehtësuar dhënien e ndihmës për këtë vend të goditur nga tërmeti.

"Një tërmet i madh goditi Sirinë dhe çoi në një katastrofë humanitare të rëndë. Ne i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera të Perëndimit, të heqin sanksionet e njëanshme të vendosura ndaj Sirisë për të lehtësuar ndihmën humanitare për këtë vend," u shpreh ai.

Të enjten, Shoqata e Kryqit të Kuq e Kinës dërgoi kontingjentin e parë të furnizimeve mjekësore urgjente në Siri, kurse të dielën, bashkësia kineze në Siri dhuroi ndihma për popullin sirian nëpërmjet Gjysmëhënës së Kuqe Arabe Siriane.

Tërmetet që goditën Sirinë më 6 shkurt kanë shkaktuar deri tani rreth 5 300 të vdekur si në zonat e kontrolluara nga qeveria siriane, ashtu edhe në ato që mbahen nga rebelët, sipas shifrave të fundit të publikuara nga Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut me qendër në Britani.

Kombet e Bashkuara thanë të premten që tërmetet kanë sjellë shpërnguljen e 5.3 milionë njerëzve në Siri.