Transmetuar më 14-02-2023, 14:37

Tiranë- Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vijon seanca paraprake për inceneratorin e Elbasanit. Gjatë kësaj seance të pandehurit janë duke u njohur me akuzat, dhe kanë shprehur pretendimet e tyre lidhur me akuzat e ngritura nga SPAK.

Ish ministri i mjedisit Lefter Koka, pasi paraqiti gjeneralitetet përpara gjykatës u ka shprehur togave të zeza të GJKKO-së, se akuzat e ngritura ndaj tij janë të paprovuara, ndërsa ka pretenduar se procesi është i montuar me qëllim që ai të goditet politikisht. Ndërsa përfaqësuesi i tij ligjor Fatmir Braka, i ka kërkuar gjykatës të pushohen akuzat e ngritura ndaj klientit të tij.

I dyti që ka bërë mbrojtjen ishte ish deputeti Alqi Bllako. Ky i fundit, ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë rol në dhënien e koncesionit. Sipas tij procedurat për dhënien me koncesion të inceneratorit të Elbasanit është kryer nga anëtarët e komisionit, e sipas tij edhe këta të fundit kanë zbatuar ligjin për dhënien e tij, duke mos kryer asnjë shkelje.

Seanca paraprake është ende në vijim ku deri më tani kanë bërë mbrojtjen e tyre 4 nga 10 të pandehurit. Seanca pritet të zgjasë deri në orët e vona të darkës, e më pas do dilet me një përfundim nëse çështja do kalojë për gjykim apo do i kthehet pas SPAK për hetime të mëtejshme.