Transmetuar më 14-02-2023, 12:20

Ndër demonstrimet e shumta të mbështetjes për Jakub Jankto është edhe ajo e ish-të dashurës së futbollistit, Markéta Ottomanská, me të cilën Jankto ka një djalë 3 vjeç. Ish-partnerja e futbollistit të kombëtares çeke foli për faqen çeke “Idnes.cz”, pasi Jankto doli hapur, pranoi publikisht se është homoseksual:

“Kjo është historia e Kuby, rrëfimi i tij. Jam krenare që ka mundur të mbledhë forcat për të dalë publikisht. Ai është futbollisti i parë aktiv që e ka bërë të ditur këtë. Ndoshta vetëm ata që i kanë dhënë fund karrierës e kanë pranuar. Të gjithë të tjerët e mbajnë sekret. Ata kanë frikë nga ajo që thonë njerëzit”.

Marrëdhënia mes të dyve përfundoi në vitin 2021 dhe gruaja nuk ka dashur të japë detaje. “Kur më tha, më dha edhe shumë liri, – janë fjalët e Markéta Ottomanská. – Tani e rëndësishme është që ai të jetë i qetë dhe i lumtur. Ai me siguri do të lehtësohet dhe asgjë nuk do t’ia brejë më shpirtin.

Jakub kishte frikë se njerëzit nuk do ta pranonin për atë që ishte. Ai ishte i stresuar për këtë. Unë mendoj se njerëzit do ta pëlqejnë atë po aq sa më parë. Nuk më intereson më e kaluara jonë. Nuk e fajësoj se si përfundoi mes nesh, shpresoj që tani të jetë më i qetë dhe në paqe me veten”.

Edhe Neymar, përmes rrjeteve sociale, donte të linte një mesazh mbështetjeje për Jankto: “Është një ditë e rëndësishme. Çdo njeri duhet të jetë i lirë të jetojë si të dojë”.

Dje, Jankto pranoi prirjen e tij seksuale: “Dua ta jetoj jetën time lirisht. I patrembur. Pa paragjykime. Pa dhunë. Por me dashuri. Jam homoseksual dhe nuk dua të fshihem më”. Mesazhin e shoqëroi me një video të postuar në profilet e tij sociale.

Jakub Jankto, mesfushori 27-vjeçar i Sparta Pragës dhe i kombëtares së Republikës Çeke, ka luajtur edhe në Serie A me Udinese dhe Sampdoria. Historia e Jankto mori menjëherë shumë komente mbështetjeje, nga ato të FIFA-s ("Ne jemi të gjithë me ty Jakub. Futbolli është për të gjithë") e deri të UEFA-s ("Bëre mirë Jakub. Ti je një burim i vërtetë frymëzimi dhe futbolli evropian është me ju”.

“Asgjë nuk ndryshon për ne. Jetoje jetën tënde Jakub”, – shkruan Federata e Futbollit të Çekisë, ndërsa Sparta Pragë (e cila e ka huazuar nga Getafe) zbuloi se “Jakub ka folur hapur për orientimin e tij seksual me drejtuesit dhe bashkëlojtarët disa kohë më parë. Gjithçka tjetër ka të bëjë me jetën e tij personale: asnjë koment dhe asnjë pyetje. Ke mbështetjen tonë, jetoje jetën Jakub. Asgjë tjetër nuk ka rëndësi".