Transmetuar më 14-02-2023, 11:43

Gjatë emisionit të drejtpërdrejtë “Blood Relatives” për Thijs, një bashkëpunim midis PSV dhe ESPN, sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic bëri thirrje për të inkurajuar Slegers: “Ai është shoku i vetëm që më ka mbetur nga periudha ime në Holandë. Në atë kohë isha i ri dhe ndihesha si i përhumbur. Isha konfuz dhe nuk kishte kush të më ndihmonte”.

Qëndrimi mediatik i suedezit e bëri më të veçantë marrëdhënien e mirë me Slegers: “Në atë kohë nuk kisha marrëdhënie të mira me shtypin. Në fakt, gazetarët ishin armiqtë e mi. Por unë u afrova nga Thijs Slegers.

Shkuam për darkë dhe që atëherë u bëmë miq të mirë. Luajtëm tenis së bashku, takoheshim shpesh dhe ai më ndihmonte rregullisht. Ai më dha mbështetjen që më duhej në karrierën time.

Madje i kam kushtuar Thijs një pasazh në biografinë time. I jam mirënjohës atij për gjithçka që ka bërë për mua. Jemi ende në kontakt, që nga momenti që u njohëm. E vetmja gjë që dua të them: Thijs, mik, të dua!”

Rreth dhjetë ditë më parë, gazetari holandez njoftoi gjendjen e tij shëndetësore, se ishte diagnostikuar me leucemi në moshën 46-vjeçare, ndaj apeloi për t’i inkurajuar njerëzit të dhurojnë qeliza staminale e gjak: "Unë nuk mund të ndihmohem më, por të tjerët munden".

Një lajm që e ka shokuar Ibrahimovic, i cili në një moment të bisedës “live” në ESPN u përlot, si rrallëherë e kemi parë kështu “bishën” suedeze, një njeri i hekurt në karakter.