Transmetuar më 14-02-2023, 11:18

Ignatius Ganago nuk do të jetë në “Allianz Stadium” të enjten në mbrëmje për ndeshjen e parë të “Europa League” mes Juventusit dhe Nantes. Sulmuesi kamerunas i skuadrës franceze po përjeton një moment dhimbjeje të madhe për shkak të vdekjes së vajzës së tij 5-vjeçare.

Siç raporton “L’Equipe”, futbollisti i lindur në vitin 1999 ka fluturuar drejt Kamerunit pasi mori lajmin për ndarjen nga jeta të fëmijës për shkak të një sëmundjeje të papritur. Një dramë personale që tronditi Ganago dhe gjithë klubin francez, që nga shokët e tij e deri te stafi teknik i trajnerit Antoine Kombouare.

Nantes i dha menjëherë “dritën jeshile” futbollistit për të fluturuar drejt shtëpisë pas lajmit për vdekjen e vajzës së tij, pak ditë para ndeshjes kundër bardhezinjve të Allegrit. I lindur dhe i rritur në Kamerun, Ganago shpërtheu në futboll në Francë, fillimisht me Nice dhe më pas te Lens.

Në vitin 2022 kaloi në radhët e Nantes, ku po gjen “shenjtërimin” e tij përfundimtar si sulmues. Në karrierën e tij fitoi një medalje të bronztë në Kupën e Kombeve të Afrikës, të luajtur në shtëpi edicionin e kaluar, ndërsa këtë sezon, deri më tani ka shënuar 4 gola dhe ka dhënë 3 asiste në 28 ndeshje, në të gjitha garat.

Të dielën e kaluar, Ganago ishte në fushë për mbi 60 minuta në ndeshjen kundër Lorient. Më pas i erdhi lajmi dramatik dhe ndërmori fluturimin për në Kamerun, pas lejes së pacaktuar të dhënë nga klubi. Një fakt dramatik, që e nxjerr futbollin në plan të dytë.