Transmetuar më 14-02-2023, 09:34

Një ndeshje thelbësore për Interin, që po përpiqet të mbajë gjallë shpresat e vështira të rikuperimit të distancës në klasifikim ndaj kryesuesit në arrati, Napolit. Ndeshje delikate në “Marassi” ndaj Sampdorias, e cila në pjesën e parë pa Barella dhe Lukaku protagonistë të një përleshjeje verbale.

Në minutën e 39-të të pjesës së parë, Barella i kërkoi me këmbëngulje topin Lukakut gjatë një aksioni në mesfushë. Lukaku nuk e ka marrë mirë këtë: “Mos e lejo veten të m’i tundësh më krahët, mbylle gojën” – e deshifroi DAZN sulmin e sulmuesit belg ndaj bashkëlojtarit zikaltër.

“Mjaft, mos e bëj më këtë”, – lexohet buza e belgut, e kompletuar me fjalë të ashpra drejtuar ish-mesfushorit të Cagliarit. Nervozizëm për një gol që nuk ka ardhur; gjëra që ndodhin në fushë, episode në mes të tensionit në kërkim të avantazhit.

Pjesa e parë ngeci pa gola, me Sampdorian që e mbajti mirë fushën, duke mos lënë hapësira apo raste të mëdha për Interin. Në veçanti, zikaltrit gjuajtën drejt portës kundërshtare në tri raste, dy prej të cilave me Lautaro Martinez dhe një me Lukakun.

Belgu, i rikthyer nga lëndimi javët e fundit, deri më tani ka shënuar vetëm një gol në Serie A (2022-2023), atë të fazës së parë. Këtij i shtohet edhe goli në Champions League, që erdhi kundër Viktoria Plzen në fitoren 4-0, tetorin e kaluar.

Të dy zhgënjyes, si Barella ashtu edhe Lukaku u zëvendësuan në pjesën e dytë. Brozovic u hodh në fushë për mesfushorin sardinez, Dzeko për kolegun e tij belg. Pasi ndeshja përfundoi 0-0, Inzaghi e minimizoi përplasjen e dy lojtarëve të tij:

"Lukaku dhe Barella janë miq të shkëlqyeshëm. Janë gjëra që unë absolutisht nuk dua t’i shoh, por në fund të pjesës së parë ishin ulur së bashku. Këto janë gjëra që mund të ndodhin, por padyshim që unë absolutisht nuk dua t’i shoh".