Transmetuar më 13-02-2023, 18:44

Ambasada e SHBA-së në Moskë ka lëshuar një thirrje për qytetarët e saj që të largohen menjëherë nga Rusia, siç thuhet në njoftim, për shkak të "pasojave të paparashikueshme" të luftës në Ukrainë.

Thirrja vjen plot një vit pas nisjes së luftës së Rusisë me Ukrainën dhe është e paqartë përse thirrja bëhet pikërisht tani.

"Mos udhëtoni në Rusi për shkak të potencialit për ngacmim dhe veçimit të qytetarëve amerikanë për ndalim nga zyrtarët e sigurisë së qeverisë ruse, zbatimit arbitrar të ligjit lokal, fluturimeve të kufizuara brenda dhe jashtë Rusisë, aftësisë së kufizuar të ambasadës për të ndihmuar qytetarët e SHBA-së në Rusi dhe mundësisë së terrorizmit", thuhet në deklaratën e ambasadës të dielën.

Deklarata shton se qytetarët amerikanë që banojnë ose udhëtojnë në Rusi duhet të largohen menjëherë nga vendi dhe të kenë kujdes të shtuar për shkak të "rrezikut të ndalimeve të paligjshme".

"Mundësitë e qeverisë amerikane për ofrimin e shërbimeve rutinë ose emergjente për qytetarët amerikanë në Rusi janë kufizuar shumë, veçanërisht në zonat larg Ambasadës së SHBA-së në Moskë, për shkak të kufizimeve të qeverisë ruse për udhëtimet e personelit të ambasadës si dhe pezullimit të vazhdueshëm të operacioneve, përfshirë shërbimet konsullore, në konsullatat amerikane", thuhet në deklaratë.

Në njoftimin për media thuhet se Rusia mund të refuzojë të njohë shtetësinë amerikane të shtetasve që posedojnë shtetësi të dyfishtë dhe mund t’i "nënshtrojë ata për mobilizim, të pengojë largimin e tyre nga Rusia ose t’i rekrutojë ata".

Gjithashtu shtohet se kartat e kreditit dhe të debitit të SHBA-së nuk funksionojnë më në Rusi dhe se opsionet e fluturimeve komerciale janë jashtëzakonisht të kufizuara dhe shpesh të padisponueshme në një njoftim të shkurtër, duke u kërkuar qytetarëve amerikanë që të vendosin "sa më shpejt të jetë e mundur".

Qytetarët amerikanë duhet të shmangin "të gjitha protestat politike ose sociale dhe të mos fotografojnë personelin e sigurisë në këto ngjarje", thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Sipas të dhënave nga Moska, në Rusi jetojnë rreth 3.1 milionë shtetas amerikanë dhe ruso-amerikanë.