Transmetuar më 13-02-2023, 15:22

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se qeveria e Kosovës e ka ndërtuar qasjen e saj strategjike përballë dialogut, të lehtësuar nga BE mbi bazën e dy qëllimeve fillestare.

E para, ndërprerjen e praktikës së përfshirjes së çdo çështje potencialisht kontestuese mes dy palëve në fushëveprimin e dialogut, qëndrimi ynë ishte maksimumi që mund të diskutohej në Bruksel ishin problemet e zbatueshmërisë së marrëveshjeve ekzistuese, pra atyre të nënshkruara para ardhjes në Qeveri.

E dyta, hapja e kapitullit të një procesi të bisedimeve për ndërtimin e raporteve të jashtme të fqinjësisë së mirë, parimeve të së drejtës ndërkombëtare si dy shtete të pavarura që e bazonin marrëdhënien e tyre mbi premisën e njohjes së dyanshme të shtetësisë”, tha Kurti .

Sipas tij si rezultat i qasjes fillestare dhe kujdesit të Qeverisë ndaj precedentit të vitit 2013 e tutje, përfaqësuesi i lartë i Bashkimi Evropian Josef Borell, për herë të parë në më shumë se 12 vite dialog pranoj të bëj hapin e madh atë të ftesës së datës 18 gusht 2022 ku e kornizoi takimin e nivelit të lartë mbi dy pika qendrore: Një korniza e përgjithshme e marrëveshjes dhe dy, çështjet aktuale.

“Takimi i datës 18 gusht ishte qartazi rezultat direkt i presionit të qeverisë sonë që dialogu të kalojë në fazën e rregullimit ndërkombëtar të marrëdhënies ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përqendruar në njohje reciproke, e të bazuar në të drejtën ndërkombëtare, e jo në çështje të brendshme siç ishte praktika e mëhershme para ardhjes sonë në Qeveri, pra jo dialog për dialog, jo dialog për menaxhim krize”, tha kryeministri Kurti.

Kurti i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi më 20 janar i kishte pritur në zyrë përfaqësuesin Special të Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, këshilltarin diplomatik të Kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, Francesco Maria Talò dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Europiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.