Transmetuar më 13-02-2023, 15:23

Milani i Piolit po përgatitet të sfidojë Tottenham. “Eksitimi” i debutimit të tij në 1/8 finale të Champions League si trajner, rikthimi i Milanit në këtë fazë të kompeticionit elitar evropian 9 vite pas herës së fundit…

"Do të kemi nevojë për një Milan të nivelit të lartë, – komentoi trajneri kuqezi në prag të sfidës me anglezët. – Nuk ka rëndësi se si ne ose kundërshtari do t’i qaset kësaj sfide, por ta luajmë atë në maksimum”.

Në pankinën kundërshtare do të jetë Antonio Conte: “Kjo do të thotë se duhet shumëzuar vështirësia e kësaj ndeshjeje, duke ndërthurur intensitetin e skuadrave angleze me përgatitjen taktike të një trajneri italian si Conte”.

Precedentët tuaj me anglezët kanë qenë ngushëllues, çfarë Milani do të propozoni nesër?

Nëse duam të mendojmë se mund të fitojmë, duhet të propozojmë një Milan me nivel të lartë intensiteti, teknikë dhe zgjedhjesh. Ne jemi përgatitur për këtë.

Sa e dukshme është dora e Contes?

Vështirësitë janë shumëfishuar, sepse ai është një trajner i madh, që i përgatit ndeshjet në mënyrën më të mirë të mundshme. Tottenham është një ekip me karakteristikat e ritmit dhe intensitetit tipik anglez, por me përgatitjen taktike të Contes.

Si është Bennacer?

Ai po stërvitet me grupin, por nuk është 100%. Nuk do ta rrezikojmë nesër.

Pse e ndryshuat modulin taktik?

Në të dyja fazat kishim vështirësi objektive në fushë, ndaj vendosëm të ndryshonim diçka.

Si mund të afrohet Serie A me Premier League?

Unë jam trajner dhe preferoj të flas për fushën, por ekonomikisht nuk ka krahasime. Hendeku ekonomik është shumë i madh, mund të jepen mjaft argumente, por nuk është koha.

A do të mjaftojë pjesa e dytë ndaj Torinos për një rezultat pozitiv?

Do të duhet një Milan i nivelit të lartë. Ne luajtëm më mirë me Torinon pas golit, por Tottenhami është i një niveli të lartë, ndaj duhet të jemi të vëmendshëm dhe intensivë.

Çfarë ndryshon me rregullin e ri të golave ​​si mysafir?

Të pësosh një gol në shtëpi nuk është dhe aq penalizuese si më parë. Ky është një avantazh, por nuk ndryshon, sepse çdokush e përgatit ndeshjen për ta fituar, duke u kujdesur për detajet.

Milani është në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve pas 9 vitesh…

Ne jemi këtu, sepse kemi bërë shumë gjëra pozitive në këto tri vite. Duam të shkojmë më tej, do të përpiqemi ta kalojmë edhe këtë raund.

Cilët janë trajnerët më të mirë italianë?

Ancelotti është top, por edhe Conte dhe Spalletti. Shkolla jonë është e mire, me karakteristika të rëndësishme.

A kanë frikë tashmë kundërshtarët të përballen me Milanin?

Nuk e di se çfarë emocionesh ndjejnë kundërshtarët. E di se çfarë do të ndjejmë nesër para tifozëve tanë, jemi shumë të motivuar.

Çfarë lloj loje do t’i duhet Milanit? Ku mund të luajë De Ketelaere?

Ne duhet të përpiqemi të kontrollojmë lojën, me driblimin dhe gjithmonë duke u përpjekur të jemi të rrezikshëm. E dimë që treshja sulmuese e Tottenham është e një niveli të lartë, ndaj duhet të jemi kompaktë. Charles mund të luajë në vijën e parë.

A është më mirë të përballesh me Tottenhamin, pas një disfate të keqe 4-1 si e fundjavës në Premier League?

Ata mundën City javën e kaluar. Nuk ka rëndësi se si e arrijmë të dyja skuadrat këtë sfidë, por si e luajmë atë.

Sa besoni në fitimin e Champions League?

Ne besojmë se mund ta mposhtim Tottenhamin dhe ta kalojmë raundin. Fitimi i “Champions League” është një ëndërr për momentin, por jemi të mirë në ndërtimin e gjërave të veçanta.

A është Milani më i gatshëm të përballet me Tottenhamin sesa Liverpool-in vitin e kaluar?

Sigurisht që po, përvoja e fituar na ka ndihmuar.

A e patë shkëndijën e kthesës në stërvitje pas tri pikëve me Torinon?

Sigurisht që morali është më i mirë. Kemi shumë energji për të përballuar këtë ndeshje të Champions League.