Transmetuar më 13-02-2023, 10:11

Sikurse njofton faqja zyrtare e FSHF-së, kjo fundjavë ka qenë shumë pozitive për futbollistët e ekipit kombëtar, të cilët kanë pasur paraqitje mjaft të mira në radhët e klubeve të tyre në Europë.

Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni duket se nuk ka aspak ndërmend të ndalet këtë sezon në radhët e Granada-s në Spanjë, duke realizuar dopietë në takimin kundër Tenerife-s.

Sulmuesi kuqezi gjeti saktë dy herë portën nga pika e bardhë e penalltisë, teksa tashmë udhëheq listën e golashënuesve me 17 gola në ligën e dytë spanjolle.

Një tjetër sulmues kuqezi është rikthyer te goli. Bëhet fjalë për Taulant Seferin, i cili ka gjetur rrugën e rrjetës me ukrainasit e Vorskla Poltavës, në një miqësore ndaj Levadia Talin që përfundoi me rezultatin 3-2 në favor të skuadrës së sulmuesit shqiptar.

Edhe mesfushori Nedim Bajrami ishte protagonist absolut në radhët e Sassuolo-s në takimin e ditës së djeshme kundër Udinese-s. Djaloshi kuqezi e nisi takimin nga stoli, teksa në minutat e fundit të pjesës së parë, Bajrami krosoi një top drejt zonës, duke detyruar mbrojtësin kundërshtar që të bënte autogol.

Ndërkaq, edhe kuqezinjtë e vegjël po shkëlqejnë në radhët e klubeve të tyre në Europë. Eljon Toçi po spikat si një nga sulmuesit e perspektivës me lojën e tij në radhët e ekipit të Fiorentinës U-19. Djaloshi shqiptar, i cili është edhe kapiteni i kësaj skuadre ishte protagonist i fitores 2-1 ndaj Udinezes, me një assist dhe një gol mjaft të bukur nga jashtë zone.

Një tjetër futbollist kuqezi po tregon vlerat e tij në kampionatin italian. Stiven Shpendi shkëlqeu të dielën duke realizuar golin e tretë për skuadrën e tij në fitoren 4-2 që Cesena regjistroi ndaj Imolese-s. Edhe Indrit Tuci është rikthyer sërish te goli, duke gjetur rrugën e rrjetës në radhët e Lokomotivës së Zagrebit në triumfin 0-4 që ekipi i tij arriti në transfertë ndaj Sibenikut në kampionatin kroat.

Armando Dobra duket se ka rigjetur formën e tij më të mirë në radhët e Çesterfilldit në Angli. Ky ishte goli i katërt në kampionat për djaloshin shqiptar. Sakaq, këtë javë janë aktivizuar edhe futbollistët e tjerë të ekipit kombëtar, që nga Elhan Kastrati, tek Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Ardia Ismajli, Frederic Veseli, Enea Mihaj, Amir Abrashi, Ernest Muçi.