Transmetuar më 13-02-2023, 10:05

Janë gjithnjë e më të shpeshta shfaqjet e dashurisë dhe propozimet për martesë me rastin e ngjarjeve sportive. Brenda dhe jashtë fushës. Nga ‘Kiss Cam’ në tribuna e deri te iniciativat e ndërmarra në fusha të shumë disiplinave sportive, nga basketbolli, bejsbolli, volejbolli dhe futbolli.

Ka gjithnjë e më shumë njerëz që zgjedhin audiencë të madhe për t’i propozuar për martesë dashurisë së jetës. Shumica e këtyre propozimeve përfundojnë mirë, por jo të gjitha. Së fundi u luajt ndeshja mes Atlas dhe Rayados në Meksikë.

Një tifoz i skuadrës vendase i kërkoi të dashurës së tij të martohej me të në mes të fushës. Përgjigja ishte "jo". Video e këtij momenti u bë "virale" në rrjetet sociale, fillimisht në Amerikë dhe më pas në të gjithë botën.

Një situatë vërtet e turpshme e përjetuar nga të pranishmit në stadiumin "Jalisco" dhe mbi të gjitha nga ata që ishin drejtpërdrejt të interesuar. Gjatë pjesës së parë të ndeshjes, e cila përfundoi me fitoren 2-0 për skuadrën e Monterrey, ky tifoz doli në fushë me të dashurën për t’i propozuar, pa dijeninë e saj.

Shfaqja ishte gati, e planifikuar me drita, madje edhe ‘Zorro’, maskota e ekipit, i pranishëm në mesfushë me tifozin dhe të dashurën e tij. Kur djali u gjunjëzua për t’i kërkuar dorën, ajo tha ‘jo’ dhe u largua me vrap, duke i lënë të gjithë në mosbesim për atë që sapo kishte ndodhur.

Momenti është kapur nga disa kamera dhe, siç u përmend, u bë "viral" në vetëm pak orë. Djali shpërtheu në lot dhe u largua nga fusha i hidhëruar me refuzimin e vajzës me të cilën shpresonte të ndante pjesën tjetër të jetës.