Transmetuar më 12-02-2023, 20:02

Turqi- Shifër dramatike nga tërmeti shkatërrimtar në Turqi e Siri.

Pas 150 orësh nën rrënoja, kjo vajzë e vogël në Hatay e pa prap dritën e diellit, teksa u shpëtua nga forcat e kërkimit të cilat prej 7 ditësh po luftojnë me kohën për të nxjerrë të gjallë të gjithë të mbijetuarit e tërmetit shkatërrimtar, që goditi të hënën zonën kufitare mes Turqisë dhe Sirisë.

Pamjet e publikuara nga Ministria turke e Shëndetësisë të dielën tregojnë punëtorët e shpëtimit që mbanin vajzën me barelë nëpër rrënojat e ndërtesave të shembura.

Ndërsa këto janë momentet kur një tjetër vajzë nxirret e gjallë pas 150 orë qëndrimi nën rrënojat në Gaziantep të Turqisë.

Edhe pse ditët po kalojnë, shpresat nuk janë shuar ende për gjetjen e të mbijetuarve, pasi më herët u shpëtuan dhe një tjetër foshnje dhe një 27 vjeçar.

Sakaq autoritetet shprehen se numri i viktimave ka kaluar shifrat e 33 mijë personave, nga të cilët rreth 30 mije janë në Turqi dhe mbi 3500 në Siri.

Një ekip i Organizatës Botërore të Shëndetësisë pasi inspektoi situatën në teren tha se numri i viktimave pritet të jetë shumë më i madh, ndërsa rreth 26 milionë njerëz janë prekur nga tërmeti i së hënës së shkuar në të dyja vendet.

OBSH tha gjithashtu se kërkohen rreth 43 milionë dollarë amerikanë për të përballuar nevojat shëndetësore të të mbijetuarve.

Krahas punës për shpëtimin e jetëve, autoritetet turke kanë nisur tashmë hetimet për këdo që dyshohet se është përgjegjës për shembjen e ndërtesave dhe kanë urdhëruar ndalimin e 113 të dyshuarve, kryesisht ndërtues dhe kontraktorë.