Transmetuar më 12-02-2023, 19:14

SHKODER – Vllaznia ka fituar ‘klasiken’ ndaj Tiranës në ‘Loro Boriçi’ dhe ka hapur garën për titullin të Abissnet Superiores. Goli i realizuar nga Herald Marku me 11-metërsh në fillim të pjesës së dytë, vendosi fatin e sfidës, ku bardheblutë e kryeqytetit bënë gjithçka për të shmangur humbjen.

Kuqeblutë shkodranë, të shtyrë edhe nga mbështetja e tifozëve, ushtruan presion që në minutat e para, megjithatë rasti i parë u krijua nga Hila me një diagonale, që përfundoi mbi tra. Në minutën e 19-të portiere bardheblu Bekaj me reflekset e tij çoi në këndore goditjen e Smajlit, ndërsa para përfundimit të fraksionit hapës Tirana u shfaq në disa momente e rrezikshme në zonën e Vllazninë.

Ekuilibrat në rezultat u prishën në të 50-tën, kur Marku shndërroi në gol 11-metërshin e fituar nga Bekim Balaj në dyluftim me Behiratchen. Tirana tentoi gjithçka në minutat e mbetura për të barazuar rezultatin, por goli bardhebluve nuk erdhi. Pas 6 minutash shtesë, nisi festa e fitores së Vllaznisë, që e ngushton në vetëm tri pikë diferencën me kampionët në fuqi të Tiranës.

Në “Niko Dovana”, në derbin e Durrrësit, Erzeni dhe Teuta ndanë pikët, pas barazimit 1-1 të arritur ‘in extremis’ të ndeshjes. Që në minutën e 7-të, Sherif Kallaku zhbllokoi rezultatin me 11-metërsh dhe për minuta të tëra rezultati nuk ndryshoi, për të ardhur në fundin e sfidës, kur një krosim i Asllanit u shfrytëzua nga Leao që e dërgoi topin në rrjetë dhe barazoi shifrat në 1-1. Erzeni me pikën e fituar parakalon Partizanin dhe ngjitet në vendin e tretë, ndërsa Teuta barazon Kukësin në kuotën e 25 pikëve.