Transmetuar më 11-02-2023, 01:01

Gati 15 vjet pas tragjedisë së Gërdecit. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) thotë se ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesë për dërgimin në gjyq të çështjes penale nr.279 viti 2021, në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu.

SPAK ka kopsitur një dosje voluminoze plot e përplot me akuza ndaj Mediut duke e zhytur në një vorbull dyshimesh për shpërdorim detyre dhe korrupsion shtetëror.

Lidhur me këtë mal akuzash, Mediu ka folur në intervista televizive ditët e fundit dhe shfaqet i shqetësuar për këtë proces që duket se do të vazhdojë gjatë.

Mediu thotë se po viktimizohet dhe po përdoret si mish për top.

Ai shpreh edhe habinë për faktin që ngjarja ka ndodhur para 15 vjetësh dhe hetimi si dhe procesi gjyqësor po rreket të ndodhë tani që ka kaluar afati 10 vjeçar që një çështje mund të hetohet nga drejtësia.

Në këtë pikë, Mediu beson se ajo që do të ndodhë me të do të jetë një pikë referimi për pasardhësit e tij në kabinetet qeveritare.

"Nëse gjykata do të më dënojë, atëherë i bëj thirrje të gjithë Ministrave të mos firmosin asnjë lloj shkrese çfarëdo, sepse kështu do të përfundojnë në burg si unë", u shpreh Mediu në intervistë televizive.

Akuzat

Kryetari i Partisë Republikane dhe ish ministër i Mbrojtjes, është i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Fatmir Mediu akuzohet se në lidhje me proçesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin dhe V.K.M Nr.138, date 14. 03. 2007 “Per proçedurën e trajtimit te armeve, teknikes dhe pajisjeve të forcave të armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi, përsa i përket shitjes per çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municioni”, të cilat kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit dhe kanë sjellë avantazhe të padrejta për shoqëritë SAC inc dhe Albademil sh.p.k.

Gjatë hetimeve të këtij proçedimi penal janë kryer gjithashtu veprime të mëtejshme në lidhje me proçedurën e shitjes së municioneve luftarake nga Ministria e Mbrojtjes dhe ndërmarrja “MEICO” ndaj shoqërive të huaja “Evdin” ltd, me seli në Qipro dhe “AEY”, me seli në Florida, SHBA, raporton noa.al.

Lidhur me këtë episod, hetimet paraprake nuk kanë përfunduar dhe është vendosur ndarja e çështjes penale, duke u rregjistruar proçedimi penal nr.279/1 viti 2023, për veprat penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore apo i të zgjedhurve vendore” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 260 dhe 287 të Kodit Penal.

Çfarë thotë Mediu:

"Dërgimi për gjykim në GJKKO i çështjes penale në ngarkimin tim, është formalizimi i gjithë veprimeve në kundërshtim me ligjin të kryer nga SPAK në kuadër të hetimeve të rihapura në lidhje me ngjarjen tragjike të Gërdecit.

Rihapja e kësaj çështjeje dhe mandej vazhdimi i të ashtuquajturave hetime të kryera nga ana e SPAK, janë akte tërësisht në kundërshtim me ligjin procedural penal si dhe me faktet e provat.

Ngjarja tragjike e Gërdecit, ashtu sikurse edhe vetë organi i prokurorisë ka pranuar, nuk ka si shkak urdhërat e Ministrit të Mbrojtjes. Këto urdhëra kanë dalë në bazë dhe për zbatim të ligjit dhe akteve të Këshillit të Ministrave.

Detyrimi për kryerjen e demontimit ka buruar nga këto akte dhe nga angazhimet ligjore për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe BE.

Demontimi i municioneve të tepërta ka qënë një proçes i cili ishte zhvilluar si përpara ngjarjes së Gërdecit, ashtu edhe më pas mbi të njëjtin kuadër ligjor dhe nënligjor.

Ngarkimi me përgjegjësi penale i ministrit për çështje që qartësisht janë jashtë kompetencës dhe dijes së tij edhe si ministër, është në kundërshtim të plotë me ligjin.

Prokuroria dje, por edhe SPAK sot, kanë zhvilluar hetime për mua dhe familjarët e mi, për të treguar/vërtetuar implikimin tim në interesa të paligjshme proçesin e demontimit të municioneve në Gërdec. Edhe pse këto hetime kanë qënë tërësisht tendencioze dje edhe sot, ato kanë provuar katërcipërisht se nuk ka asnjë përfshirje timen në një veprimtari korruptive në këtë proces. Fakt i cili dhe vetëm ai, mundet të më ngarkonte me përgjegjësi penale mua si ministër.

Kjo çështje e gjykuar dhe rigjykuar në të tre shkallët e gjyqësorit, ndërtohet mbi të njëjtën akuzë tashmë edhe të parashkruar, të ringjallur dhe të stisur politikisht, me qëllim parësor hedhjen në tregun mediatik dhe propagandimin institucional të SPAK.

Marrëdhënia me median që në fillesë të rastit, përfaqësimi i të ashtuquajturës akuzë nga tre prokurorët kryesorë të SPAK, si dhe shmangia e mosarsyetimi i problemeve ligjore të ngrituara në aktet tona të transmetuara në SPAK, përbëjnë provë që aksioni penal kundër meje nuk është një qëndrim i pavarur e profesional i një prokurori, por është pozicionim politik i një institucioni të tërë.

Kam zgjedhur t’i shmangem debatit mediatik për këtë çështje, sepse kam menduar që gjyqet popullore apo demaskimet e “frontit” si armik i klasës i përkasin kohës së diktaturës dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtat themelore të shtetasit dhe me një gjyqësor demokratik.

Në çdo rast mbetem i vetëdijshëm se vendi ku shqyrtohen dhe provohen akuzat nuk është parësisht media, por gjykata, me bindjen e palëkundur se akuzat janë të paligjshme dhe do të rrezohen në një proces të drejtë, objektiv dhe të ndershëm".