Transmetuar më 11-02-2023, 00:58

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, ish ministri i Infrastrukturës Damian Gjiknuri ishte në SPAK këtë të premte ku qëndroi për rreth 45 minuta.

Marrja e tij në pyetje erdhi pasi në kohën kur drejtonte Ministrinë e Infrastrukturës, në vitin 2017 Gjiknuri depozitoi në Prokurori një kallëzim mbi abuzimet që ai tha se u konstatuan nga raporti i auditit lidhur me këtë projekt, i cili përllogariti një dëm prej 54 milionë dollarësh në ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan.

Damian Gjiknuri pati urdhëruar auditin dhe dorëzoi kallëzimin në dhjetor të 6 viteve më parë.

Këtë të premte sikurer tha pas daljes nga SPAK, ai dha shpjegime lidhur me këtë çështje, pas pafajësisë që morën ish-zyrtarët e kallëzuar.

Në një deklaratë për mediat, jashtë mjediseve të SPAK-ut, Gjiknuri tha se në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar dha dëshminë për atë që e ka cilësuar si një nga abuzimet më të mëdha në historinë e rrugëve në Shqipëri, atë të autostradës Tiranë-Elbasan.

Gjiknuri tha se kjo rrugë u kontraktua 240 milionë euro dhe përfundoi me një kosto prej 400 milionë eurosh.

"Kam qenë në SPAK në lidhje me rolin si ministër në konstatimin e një prej abuzimeve më të mëdha në historinë e rrugëve në Shqipëri, atë Tiranë-Elbasan, rrugë e cila ishte kontraktuar 240 milion euro dhe përfundoi me një kosto 400 milionë euro. Shpjegimet i dhashë në Prokurori", tha ai.