Transmetuar më 11-02-2023, 19:16

Turqi- Pezullohet mësimi në auditore në Turqi. Universitetet do të vijojnë mësimin online deri në verë, për shkak të situatës së jashtëzakonshme nga tërmeti shkatërrues. Mediat e huaja raportojnë se, presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan më herët deklaroi se hotelet në zonat bregdetare dhe konviktet e studentëve do të presin të pastrehët nga tërmeti.

"Kemi vendosur që të gjitha universitetet të mbyllen deri në verë. Konviktet ku qëndrojnë studentët janë në dispozicion të qytetarëve që janë prekur nga tërmeti. Janë kthyer të gjitha në qendra pritëse për të pastrehët. Do të nisë transporti i qytetarëve duke i larguar nga çadrat dhe kontejnerët. Për ata persona që duan të jetojnë në një banesë të re do t’ju mundësojmë që të vijojnë jetën e tyre duke u dhënë bonusin e qirasë."- tha ai.

Erdogan përsëriti edhe njëherë se banesat e reja në zonat e goditura nga lëkundjet do të përfundojnë brenda një viti. Turqia është në zi kombëtare deri të dielën ndërsa për 3 muaj është shpallur gjendja e jashtëzakonshme.