Transmetuar më 11-02-2023, 13:41

Festat e Neymarit në rezidencën ku ai jeton, në qytetin e Bougival, në periferi të Parisit, tërbojnë shumë nga fqinjët e tij. Kjo u bë e qartë në festimin e ditëlindjes së tij të 31-të, të dielën e kaluar, kur disa prej tyre telefonuan policinë për të kërkuar që zhurma të ndalet.

"Le Parisien" publikon këtë të shtunë një raport të gjerë, në të cilin kryebashkiaku i Bougival, Luc Wattelle, i cili ka shtëpinë pranë yllit brazilian të Paris Saint Germain (PSG), ankohet për atë që e përshkruan si "një individ pa respekt" nga fqinjët.

“Nuk ishte vetëm një tingull në sfond, por muzikë jashtëzakonisht e bezdisshme”, – shpjegon Wattelle, i cili këmbëngul se nuk ishte hera e parë që Neymar e kishte tepruar me ahengun e zhurmshëm në shtëpinë e tij.

Në veçanti, ai tregon se kur organizoi një festë tjetër për të festuar fitoren e PSG-së në ligën franceze, ajo zgjati “deri në 5 të mëngjesit".

Kryebashkiaku ndihet i "çarmatosur’ në këtë situatë, pasi me ndërkombëtarin brazilian gjoba prej 135 eurosh për mungesë mirësjelljeje nuk ka efekt, duke marrë parasysh se sa fiton.

“Në një moment të caktuar do të hapim procedurë para prokurorit për prishjen e përsëritur të rendit publik”, – paralajmëron ai.

Të dielën e kaluar, herët pasdite, një fqinj i rezidencës pesëkatëshe që Neymar ka zënë që kur mbërriti te PSG më 2017, paralajmëroi se diçka po përgatitej. Ai e bëri këtë në një llogari në Facebook, që përdoret për të ndarë informacione me banorët e tjerë të lagjes.

Toni i mesazheve rritej me kalimin e orëve dhe disa vendosën të thërrisnin forcat e rendit, fillimisht Policinë Bashkiake dhe më pas atë Kombëtare.

Agjentët që erdhën iu thanë se festa do të përfundonte në orën 21:00, por dëshmitë e mbledhura nga "Le Parisien" konfirmojnë se në orën 23:45 dëgjohej ende “Gëzuar ditëlindjen!”