Transmetuar më 11-02-2023, 13:29

Tiranë- Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta nga protesta e opozitës dha mesazhin e tij, ndërsa sulmoi Ramën duke e quajtur ‘struc’ i Rilindjes.

Ai tha se Rama do japë llogari për shkeljet kushtetuese. Mes të tjerash Meta tha se ‘McGonigal’ është afera që derdhi kupën e zemërimit te shqiptarët.

“Të nderuar qytetarë, i nderuar profesor Sali Berisha, lideri i PD. Kjo protestë historike dhe madhështore sot është prova e dinjitetit më të lartë qytetar dhe patriotik, Sot është ora për t’u përballur në një rezistencë pa kthim me këtë regjim të kalbur, hajdut. Struci i Rilindjes i cili është fshehur si një frikacak i pashoq nga frika e tmerrshme që ka nga përballja e të vërtetës, me dëmet e pallogaritshme. Edi Rama e përdori pushtetin për veten dhe është i gatshëm që të kënaq çdo mafioz, të brendshëm dhe ndërkombëtar, vetëm që të shtyjë dhe disa ditë në pushtet. Afera korruptive që ka tronditur mbarë botën në të dyja anët e Atlantikut, është afera që ka derdhur kupën e zemërimit. Rama e ka të qartë se llogaridhënien s’i shpëton dot. Do jap llogari për shkeljet e kushtetutës që ka bërë.”, tha ai.

“Edi Rama e ka shumë të qartë se llogaridhënies nuk i shpëton dot dhe pse ka braktisur kuvendin prej 3 javësh. Do të japë llogari për të gjitha shkeljet e kushtetutës që ka bërë. Do të japë llogari për bllokimin e të gjitha iniciativave të opozitës.

  Ai do të japë llogari dhe për bllokimin e komisioneve hetimore në kuvend. Do të japë llogari dhe për përjashtimet staliniste të deputetëve të opozitës.  

Rama do të japë llogari deri në fund për pengmarrjen e integrimit europian këtij interesi mbarëkombëtar sepse me vendimet e tij mafioze, pasaportat e arta, ligjin për mediat, portin e Durrësit i është kundërvënë hapur vlerave të shtetit ligjor. Me Edi Ramën kryeministër vendi vetëm zhytet në korrupsion”, tha Meta.

Ai theksoi se populli nuk do lejojë më kurrë që zyra e kryeministrit të prodhojë mjerim.

“Populli i Shqipërisë e ka marrë vendimin e tij solemn dhe nuk do lejojë më që Rama të uzurpojë zyrën e km të cilën e u provua se e ka kthyer në një çerdhe mafiozësh. Populli nuk do lejojë më kurrë që zyra e kryeministrit të prodhojë mjerim. Shqiptarët protestojnë sot për t’u dhënë fund dramave familjare. Të gjithë e dini se çfarë ka ndodhur në këto 2 javë të të ftohtit. Pothuajse të gjitha shkollat e vendit tonë pa ngrohje. Ky është rezultat i ramaformës. Qytetarët janë këtu për t’i dhënë fund braktisjes së bujqësisë dhe falimentimit të fermerit shqiptar. I vetmi sukses është importi i bananeve që është rritur 60% nga Kolumbia. 2/3 e shqiptarëve nën minimumin jetik. Të gjithë të rinjtë dhe të rejat vuajnë papunësinë dhe nuk shohin asnjë mundësi në vendin e tyre. Sot me ne janë pensionistët që nuk kanë mundësi të blejnë ilaçet. Janë të gjithë biznesmenët e ndershëm të cilët kanë falimentuar apo po rezistojnë me shpirt ndër dhëmbë për shkak të taksave të larta”, tha Meta.