Transmetuar më 11-02-2023, 11:20

Dani Alves (39 vjeç) qëndron në burgun "Brians 2", në të cilin u transferua më 23 janar pa kusht. Futbollisti brazilian është akuzuar që nga 20 janari për përdhunimin e dyshuar të një vajze 23-vjeçare në banjën private të klubit të natës "Sutton" në Barcelonë.

Ka nga ata që i besojnë akuzat e rënda të ngritura ndaj tij, por ndonjë syresh mendon krejt të kundërtën. Ky është rasti i ish-bashkëshortes së tij, Dinorah Santana, e cila ka folur për rastin e dyshuar të përdhunimit. Dinorah Santana është nëna e dy fëmijëve të Dani Alves:

"Askush që e njeh Dani, që e do, që është pjesë e jetës së tij, nuk mund të ndihet mirë për shkak të situatës që po ndodh. Ne nuk besojmë në atë që po ndodh. Është e pabesueshme. As në makthin më të keq nuk mund ta imagjinonim diçka të tillë.

Nuk jemi mirë as unë dhe as fëmijët. Po bëhet shumë e komplikuar çdo ditë që kalon. Dy fëmijët tanë janë 15 dhe 16 vjeç. Ata po kalojnë një kohë të keqe, sepse nuk mund ta shohin Dani. Jemi duke programuar udhëtimin për të shkuar në Spanjë kur të dalë data e seancës gjyqësore.

Do të shkojmë ta shohim atje nëse del nga burgu. Njëkohësisht do të vizitojmë shkollat, sepse do të zhvendosemi në Barcelonë. Fëmijët tanë kanë synim ta ndjekin universitetin në Katalonjë.

Si e mora vesh për atë që ndodhi me Dani? Përmes një gazetari, i cili më tha se diçka i kishte ndodhur në atë klub nate të Barcelonës më 30 dhjetor. Ai më telefonoi në rast se do të donim të flisnim për atë që kishte ndodhur në ‘Sutton’.

I telefonova Danit, por nuk e kapa dot në telefon. Mora një sy gjumë, duke menduar se kishte pasur ndonjë sherr. Më telefonuan njerëzit e afërt dhe më thanë të qetësohesha, se Dani është mirë, nuk kishte asnjë problem.

Mediat dhe njerëzit po e dënojnë Dani më parë, pa u gjykuar. Ai nuk ka zemër për të çnderuar një vajzë. Unë kam qenë e martuar për 10 vite me të dhe e njoh mirë".

“A do ta vinit dorën në zjarr për të?”, – e pyet gazetari. Dhe ajo përgjigjet me forcë: "Jo vetëm kaq, do të hidhesha me gjithë trupin në zjarr për të. Nuk kam folur me Dani. Në situatën ku cilën ndodhet nuk është i hapur ose gati të shohë njerëzit e vet ta vizitojnë në burg. Duhet të respektojmë mendimin e tij.

Nuk i besoj akuzat e ngritura ndaj tij. E vetmja gjë që dimë është se ai nuk është i tillë. Në 20 vite ai kurrë nuk më foli me ton të lartë. Ndonjëherë debatoni në çift, por kurrë nuk më trajtoi mua keq.

Njësoj sillej me femrat përreth meje. Dani ka patur gjithmonë besimin se një femër duhet trajtuar si mbretëreshë. Kjo i rrjedh nga babai, nga respekti që ka për nënën e tij".