Transmetuar më 11-02-2023, 10:10

Alberto Zaccheroni është shtruar në njësinë e kujdesit intensiv të spitalit "Maurizio Bufalini" në Cesena pas një rënieje të rëndë në shtëpi. Trajneri 69-vjeçar i futbollit nga Cesenatico ka goditur me forcë kokën në tokë, në orët e vona të pasdites, dhe për këtë arsye është transportuar menjëherë me ambulancë në spital.

"Zac" thuhet se pësoi një lëndim të rëndë në kokë dhe disa fraktura në fytyrë. Ndihma e shpejtë mbërriti menjëherë në shtëpinë e ish-trajnerit të Milanit, Udinese, Interit dhe Juventusit, ku e gjetën Zaccheronin pa ndjenja në tokë, pranë një shkalle të brendshme.

Gruaja e tij Franca dhe Lara, partnerja e djalit Luca, ishin të pranishëm në shtëpi. Nuk është e qartë nëse situata është përkeqësuar menjëherë apo nëse goditja në kokë është rezultat i një sëmundjeje të mëparshme.

Analizat e kryera në mbrëmje kanë treguar një pasqyrë shumë të rëndë të situatës dhe për këtë arsye Zaccheroni, i cili vazhdon të jetë i vetëdijshëm, u shtrua në terapi intensive.

Ish-trajneri i kombëtares japoneze dhe Emirateve të Bashkuara Arabe i ishte bashkuar grupit të studimit teknik (TSG) të ngritur nga FIFA me rastin e Kupës së Botës, Katar 2022, për të ofruar analiza të të gjitha ndeshjeve, duke ndihmuar zhvillimin dhe kuptimin e lojës.

Një punë shumë interesante për të ardhmen e futbollit. Grupi drejtohet nga kreu i FIFA-s për Zhvillimin Global të Futbollit, Arsène Wenger. Së bashku me Zaccheroni ishin Jürgen Klinsmann, Cha-Du-Ri, Pascal Zuberbuhele, Faryd Mondragon dhe Sunday Oliseh si dhe analistë futbolli, inxhinierë dhe personel i specializuar për të dhënat statistikore.