Transmetuar më 10-02-2023, 22:40

TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, është i njohur për kritikat e tij ndaj qeverisjes.

Në një intervistë për A2CNN, Braçe tha se mendon se ai grup parlamentar do të jetë i fortë kur liria të funksionojë, duke nënkuptuar komandime nga kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla dhe vetë kryeministri Edi Rama. Deputeti tha se ai e urren që të jetë një ‘ushtar’ sepse në atë mënyrë nuk do të ishte vetvetja.

“Jepi liri njerëzve dhe do jesh vetë i fortë. Jo vetëm janë më kreativë, por janë vetvetja. Një njeri që vihet në rresht dhe i thuhet “ti je ushtar” natyrisht që nuk është vetvetja. Unë e urrej të jem ushtar, jo se nuk e bëj dot luftëtarin, por luftëtari nga ushtari ka diferencë shumë të madhe. Luftëtari ka edhe lirinë brenda. Mendoj që ai grup parlamentar do të jetë i fortë kur liria të funksionojë. Si mund të stimulohet një qeveri për të bërë më mirë nëse nuk funksionon kritika? Ka të tjerë që thonë “shumë mirë që fole ti”. Ka të tjerë që shikojnë me habi. Ka të tjerë që thonë “ashtu mendoj edhe unë”. Kaq nuk mjafton, duhet krijuar ambienti që gjithsecili të thotë atë që mendon. U bëmë që nga tërmeti e me radhë që po kalojmë nga një situatë e vështirë në tjetrën. Në situata të tilla vlen shumë mendimi, kritika, mbështetja e gjithsecilit, Nëse ka njerëz që nuk e duan mbështetjen time, nuk më cenon fare mua. Ama nuk lejoj që të më ndalosh të them atë që mendoj”.