Transmetuar më 10-02-2023, 22:17

TIRANË- Godina e Kryeministrisë është blinduar një ditë para protestës së Opzoitës, e cila është parashikuar të mbahet nesër, më 11 shkurt në orën 12:00. Në foto shihet se punonjës të shumtë janë mbledhur pranë godinës së Kryeministrisë dhe po e përforcojnë atë me dyer hekuri të blinduara. Kjo është një procedurë që ndodh sa herë që në bulevard paralajmërohet se do të ketë protestë.

Opozita kërkon largimin e kryeministri Edi Rama. Protesta u thirr pas publikimit të dosjes së ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal, dosje që zbuloi dhe takimet e ish-zyrtarit të lartë me kryeministrin Edi Rama.

Nga ana tjetër, Policia ka instaluar përgjatë gjithë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ kamera me rezolucion të lartë. Mbi 1100 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH dhe Garda e Republikës, do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës ditën e nesërme, që pritet të nisë në orën 12:00.

Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, duke filluar rreth 1 orë para protestës deri në përfundim të protestës, janë:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.