Transmetuar më 10-02-2023, 18:46

Turqi- Ndonëse shpresat sa vijnë e shuhen, ende shpëtohen jetë njerëzish nën gërmadha. Në Turqi ndodhet edhe një ekip shqiptar i shpëtimit.

Tërmeti që goditi të hënën Turqinë dhe Sirinë ka marrë deri tani jetën e më shumë se 23 mijë personave.

Megjithatë nuk kanë qenë të pakta edhe mrekullitë, ku pas shumë ore nën rrënoja dhe pavarësisht temperaturave nën zero, ekipet e kërkim shpëtimit kanë arritur të nxjerrin të gjallë të mbijetuarit e asaj tragjedie.

Një rast i tillë është edhe ai i mjekut turk Taner Akdamar, i cili punon në Shqipëri dhe ishte pjesë e ekipit të dërguar nga vendi ynë në ndihmë të shtetit turk.

Mjeku ka shpëtuar një të ri në qytetin e Malatyas, pas 100 orësh që qëndronte nën rrënoja.

“Zona ime është ajo ku ka rënë tërmeti, dhe prindërit e mi, vëllezërit, të gjithë aty jetojnë. Pas 5 orësh kam marrë informacione. Një vëlla i imi me gjithë familjen kanë qenë nën rrënoja dhe janë nxjerrë pas katër orësh. Tani janë mirë të gjithë, por ka ende të afërm që nuk kemi asnjë kontakt me ta. Në këto momente nuk kemi akoma informacione të sakta, por deri tani afërsisht mbi 60 të afërm nuk kemi informacion”, u shpreh mjeku turk.