Transmetuar më 10-02-2023, 17:15

Presidenti rus Vladimir Putin do t’i drejtohet popullit rus më 21 shkurt, tre ditë para përvjetorit të parë të pushtimit të Ukrainës nga ushtria ruse, njoftoi sot Kremlini.

” Më 21 shkurt, presidenti i Federatës Ruse do t’i drejtohet Asamblesë Federale” (e cila përbëhet nga Duma e Shtetit (dhoma e ulët) dhe Këshilli i Federatës (dhoma e sipërme)” , u tha gazetarëve përfaqësuesi për shtyp i presidentit rus Dmitry Peskov, duke shtuar se fjalimi do të trajtojë “situatën aktuale”, duke përfshirë ndërhyrjen ushtarake të Rusisë në Ukrainë dhe situatën socio-ekonomike në Rusi.

Peskov tha se fjalimi do të mbahet në Gostiny Dvor, një sallë konferencash pranë Sheshit të Kuq në qendër të Moskës. Vladimir Putin

tradicionalisht mban një fjalim vjetor për gjendjen e kombit para ligjvënësve rusë, në të cilin ai rishikon vitin e kaluar dhe përcakton drejtime të reja strategjike. Sidoqoftë, në vitin 2022, fjalimi u anulua për shkak të pushtimit të Ukrainës nga ushtria ruse .

Sot Dmitry Peskov tha se personeli ushtarak rus që merr pjesë në operacionet në Ukrainë do të jetë “padyshim” i ftuar në fjalimin e 21 shkurtit.

Në pyetjen nëse gazetarët e huaj do të akreditohen në sallën ku do të mbajë fjalimin presidenti rus, përfaqësuesi i Kremlinit tha: “ Për momentin nuk ka një vendim të tillë, do të informojmë”.