Transmetuar më 10-02-2023, 14:10

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan deklaroi sot se do të rindërtojë rajonin jugor të goditur nga tërmeti në kuadër të një plani 1-vjeçar.

Ai tha se brenda një viti e gjithë zona prej 10 qytetesh ku u shkatërruan rreth 7 mijë ndërtesa, shumica disakatëshe, do të rindërtohet me shpejtësi.

Presidenti Erdoğan njoftoi dhe rritjen e numrit  të vdekurve nga tërmetet që goditën Turqinë jugore kur tha se është rritur në 18.991.

"Prioriteti ynë ka qenë gjithmonë njeriu, jeta. Nuk do të lejojmë abuzimin, sinqeriteti ynë nuk mund të vihet në dyshim nga askush.

Po përballemi me një nga fatkeqësitë më të mëdha në historinë tonë”, deklaroi presidenti Erdoğan në provincën Adıyaman të goditur nga tërmeti.

Ai njoftoi se për qytetarët që nuk duan të qëndrojnë në tenda, do të sigurojnë kalimin e tyre në banesa dhe pagesën e qirasë për një vit.

Erdogan tha edhe se kompania shtetërore Turkish Airlines do të vazhdojë të sigurojë udhëtime pa pagesë vajtje dhe ardhje për të gjithë qytetarët që janë prekur nga tërmetet.

Ndërkohë ai njoftoi se për zhvendosjen e qytetarëve shteti do të shpërndajë për secilën nga 15 mijë lira turke, rreth 750 euro. /noa.al