Transmetuar më 10-02-2023, 11:50

Sassuolo prezantoi Nedim Bajramin, një nga dy lojtarët e rinj që mbërriti nën urdhërat e trajnerit Dionisi gjatë merkatos së dimrit: “Jam shumë i lumtur që kam debutuar kundër Atalantës. Ishte një ndeshje e rëndësishme, që e fituam. Më mungoi vetëm goli. Musso ishte i mirë, por edhe unë mund të kisha gjuajtur më mirë.

Zgjodha Sassuolon sepse është një klub shumë i rëndësishëm, me një trajner që e njihja tashmë. Kam folur edhe me të, me bashkëlojtarët, të cilët janë djem shumë të fortë. Është një ambient i ngjashëm me Empolin, me lojtarë të rinj që dinë të luajnë futboll. Jam shumë i lumtur këtu”.

Përshtypja e parë ishte tashmë e mirë: “Java e parë ishte e mirë. Gjeta dy-tre lojtarë që i njihja dhe të tjerë që më pritën shumë mirë. E kisha takuar Pinamontin tek Empoli, shkova shumë mirë me të si në fushë, ashtu edhe jashtë saj. Shpresoj që ai të kthehet sa më shpejt.

Dua ta ndihmoj skuadrën me karakteristikat e mia dhe të shënoj sa më shumë gola, të jap dhe asiste. Të dielën ndaj Udinese na pret një ndeshje shumë fizike, kundër një skuadre që luan më së miri një kundër një. Duhet të luajmë lojën tonë dhe ta përgatisim ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Ai ka kujtime mbresëlënëse nga Empoli: “Tri vitet e gjysmë tek Empoli ishin të bukura, momenti më i mirë ishte fitorja e Serie B me trajnerin Dionisi. Mësova shumë prej tij. Kam shënuar shumë gola, shto këtu mjaft asiste, ndaj jam i lumtur që e bëra këtë për Empolin. Por ju gjithmonë mund të përmirësoheni".

Më pas ai shpjegon rolin e tij: “Ndihem si mesfushor-sulmues, por mund të luaj edhe mesfushor ose anësor i lartë. Zidane është idhulli im. U godita shumë nga eleganca e tij, inteligjenca e tij në fushë”.

Për trajnerët që ka pasur tek Empoli: “Kam pasur tre trajnerë shumë të rëndësishëm, që luajnë futboll. Jam i lumtur që kam gjetur sërish Dionisin, kam pasur një periudhë të rëndësishme me të. Me Andreazzolin përjetova mbijetesën në Serie A, një tjetër moment i rëndësishëm. Me Zanettin qëndrova vetëm gjashtë muaj, por edhe mësova prej tij”.

Më pas flet për kombëtaren: “Kam lindur në Cyrih. Unë kam origjinë shqiptare. Kam kaluar gjithë sektorin e të rinjve te Grasshoppers, pastaj në ekipin e parë. Më pas kam tri vite e gjysmë në Itali dhe jam shumë i lumtur. Kam luajtur në ekipin e të rinjve të Zvicrës, më pas më telefonoi trajneri Edy Reja dhe më pyeti nëse doja të bëhesha pjesë e kombëtares së madhe të Shqipërisë.

Fola me familjen time dhe në fund bëra një zgjedhje zemre, Shqipërinë. Jam krenar që luaj për ngjyrat e kombëtares amë. Mbaj mend debutimin kundër Hungarisë dhe më pas ndeshjen kundër Italisë. Si fëmijë gjithmonë ëndërroja të isha futbollist dhe të luaja në stadiume të mëdha. Deri tani, ai që më ka bërë më shumë përshtypje në Serie A është Dybala, shumë i fortë”.

Në fund një mendim për popullatat e prekura nga tërmeti: “Më vjen shumë keq për atë që ndodhi në Siri dhe Turqi, jemi të gjithë me ta. Shpresojmë që ky moment të kalojë shpejt”.