Transmetuar më 10-02-2023, 11:06

Pas Kylian Mbappe, edhe sulmuesi tjetër i PSG-së, Leo Messi, është në dyshim serioz për duelin e zjarrtë kundër Bayern Munich, të martën e ardhshme, më 14 shkurt. Siç raportohet nga "L’Equipe", ylli argjentinas vuan nga një problem muskular dhe me siguri do ta humbasë angazhimin në kampionat kundër Monaco.

Shtatë herë fituesi i "Topit të Artë", i cili ende nuk ka vendosur asgjë për të ardhmen e tij, por gjithçka tregon se do të vazhdojë në Paris, luajti në 1/8 finale të Kupës së Francës, ku PSG u eliminua nga Olympique Marseille dhe mbeti jashtë garës për të dytin sezon radhazi.

Ish-kapiteni i Barçës fitoi Kupën e Botës në Katar 2022 me kombëtaren argjentinase dhe, pas një sezoni të ambientimit me ekipin e tij të ri dhe një kampionat të veçantë si Ligue 1, është bërë shumë i rëndësishëm në bordin e Galtier, së bashku me Mbappé dhe Neymar në treshen e sulmit.