Transmetuar më 10-02-2023, 10:43

Tiranë- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, u paraqit në SPAK.

Më pas Gjiknuri ka dhënë një prononcim të shkurtër për mediat pas 40 minutave që u mor në pyetje nga hetuesit e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në fjalën e tij para mediave, Gjiknuri tha se kishte dëshmuar për tenderin e rrugës Tiranë-Elbasan, që sipas tij është një nga abuzimet më të mëdha të rrugëve në Shqipëri, po nuk ka ndarë më detaje të tjera.

"Isha për të dëshmuar në lidhje me rolin tim si Ministër në konstatimin e një nga abuzimeve më të mëdha në historinë e rrugëve në Shqipëri. Kam dëshmuar për një nga abuzimet më të mëdha të rrugëve në Shqipëri, rruga Tiranë-Elbasan. Ishte kontraktuar me 240 mln euro dhe përfundoi me një kosto 400 mln euro. Shpjegimet e mia i dhashë në Prokurori kështu që nuk kam ndonjë gjë për të shtuar për mediat më tepër,"-tha Gjiknuri.

Gjiknuri u thirr për të dëshmuar në SPAK në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen e abuzimeve të ndodhura gjatë zbatimit të projektit të rrugës Tiranë-Elbasan. Ai dha sot sërish shpjegime për këtë çështje pas pafajësisë që morën ish-zyrtarët e kallëzuar.