Transmetuar më 10-02-2023, 06:50

Paga e detyrueshme për pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Shqipëri, brenda pak javësh do të bëhet përnjëherësh 40 mijë lekë, njoftoi kryeministri Edi Rama në një takim me studentë, pasditen e së enjtes.

Kjo është hera e parë që rritja bëhet me 6 mijë lekë menjëherë duke e çuar nga 34 mijë në 40 mijë, pagën minimale të obliguar për taksat që lidhen me pensionet dhe shëndetësinë, raporton noa.al.

Duke folur me studentët, Rama tha se synon ta çojë në 45 mijë lekë pagën minimale, brenda 2 viteve.

“Paga minimale shumë shpejt do të shkojë në 40 mijë lekë, çështje disa javësh dhe do të fillojë të aplikohet brenda shumë pak muajsh për të gjithë.

Nuk duam të ketë një pagë më të ulët se 40 mijë lekë qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat.

Kjo rritje është e duhura dhe besojmë se duke kontribuar edhe ne, qeveria, me një mekanizëm që jemi duke përfunduar, paga minimale do rritet në vijim dhe duam që brenda 2 viteve të shkojë në 45 mijë lekë”, tha Rama.

Qeveria Rama ka shënuar një rekord në rritjen e pagës minimale. Ajo ka aplikuar rritje 10 për qind dhe dy herë në vit, e pazakontë më parë, duke bërë që vlera e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që paguhen çdo muaj për një person të punësuar të jetë jo më pak se një e katërta e pagës.