Transmetuar më 10-02-2023, 06:36

Karakteristikat unike të tërmetit në Maraş: Ndoshta për sizmologët, tërmeti i Maraş-it do të shërbejë si një rikujtesë se tërmetet e mëdha nuk ndodhin gjithmonë aty ku priten

Londër – Dr. Margarita Segou, studiuese e lartë në Institutin Gjeologjik të Britanisë së Madhe, analizon për Anadolu Ajans, tiparet unike të tërmetit të fundit në Maraş (Kahramanmaraş).

Cilat janë dallimet midis tërmetit të Maraş-it dhe tërmeteve të tjera në botë?

Tërmeti i Maraş-it, me magnitudë 7.7 ballë të shkallës Rihter, që ndodhi në orën 01:17 sipas kohës universale më 6 shkurt në Tükiye-n jugore përgjatë shkarjes që formon kufirin midis pllakave tektonike të Anadollit dhe Arabisë. Këto pllaka tektonike lëvizin horizontalisht (anash) në raport me njëra-tjetrën me një shpejtësi prej 13 milimetrash në vit, që është pothuajse një e treta e shpejtësisë relative të shkarjes të njohur të Anadollit të Veriut. Tërmeti çau një pjesë të shkarjes 200 kilometra të gjatë, e cila rezultoi me lëkundje të forta të tokës që zgjati më shumë se një minutë. Shkatërrimi i madh që shkaktoi shembjen e mijëra ndërtesave është i lidhur me intensitetin e lëvizjes së tokës dhe strukturat e cenueshme në rajon.

Tërmeti i Maraş-it u pasua nga një tërmet tjetër me magnitudë 7.6 ballë disa orë më vonë, i cili ndodhi tek një tjetër shkarje e afërt dhe shkaktoi shumëfishimin e dëmeve. Tani, tre ditë pas kësaj, pasgoditjet mbulojnë 200 kilometra rreth vendit të dy tërmeteve duke formuar formën e shkronjës greke λ. Tërmeti i Maraş-it është tërmeti më i madh në këtë shkarje pasi që nga viti 1900 janë njohur vetëm 12 tërmete me magnitudë më të lartë se 6 ballë të shkallës Rihter. Tërmeti i Maraş-it iu afrua, por nuk e kaloi, magnitudën maksimale të tërmetit e cila pritet për shkarje të ngjashme në mbarë botën. Madhësia e këtyre tërmeteve dhe cilësia e strukturave luajtën një rol kyç në dëmtimet e përhapura që shohim në rajonin më të gjerë.

A është e zakonshme të shohim dy tërmete të njëpasnjëshme të këtyre magnitudave?

Dihet mirë se një tërmet shkakton aktivitete sizmike në shkarjet e afërta në përpjekje që rajoni të arrijë një ekuilibër të ri stresi. Aktivitetet sizmike të shkaktuara, të cilat njihen si "pasgoditje", reflektohet nga kalimi i valëve sizmike dhe/ose deformimi i përhershëm i shkaktuar nga tërmeti i mëparshëm, i quajtur "goditja kryesore". Tërmeti i dytë me magnitudë 7.6 ballë është i lidhur ngushtë me të parin. Instrumentet incizuese rreth Maraş-it, të quajtura “sizmometra”, informojnë shkencëtarët e sotëm se si lëvizte toka gjatë tërmetit. Këto të dhëna janë shumë të vlefshme dhe mund të çojnë në një ndryshim hap pas hapi në kuptimin e proceseve tokësore që ndodhin disa orë përpara një tërmeti me magnitudë të madhe, i cili nga ana tjetër do të na ndihmojë të përgatitemi për të ardhmen.

Ndoshta seria më e njohur e pasgoditjeve në shkarje të ngjashme është rasti i tërmeteve të vitit 1992 që goditën shkretëtirën Mojave në Kaliforninë lindore, tërmeti 6.2 ballë në Parkun Kombëtar Joshua Tree, i ndjekur nga një tërmet me magnitudë 7.3 në Landers dhe 6.3 ballë në Big Bear. Një tjetër rast është sekuenca e fundit në Kumamoto në vitin 2016 në ishullin Kyushu të Japonisë, kur tërmeti me magnitudë 6.5 ballë u pasua nga një tërmet me magnitudë 7.3 ballë. Në Evropë, tërmeti i vitit 2016 me magnitudë 6 ballë në Amatrice në Apeninet u pasua dy muaj më vonë nga një tërmet me magnitudë 6.5 ballë në Norcia që formoi një sekuencë të pasur pasgoditjesh që zgjatën më shumë se gjashtë muaj.

Edhe pse jo e paprecedentë, sekuenca të tilla kaskadë të tërmeteve me magnitudë të madhe për periudha relativisht të shkurtra kohore (nga orë në muaj) janë të rralla dhe të dukshme në mbarë botën. Hulumtimi i këtyre tërmeteve dyshe dhe analizimi i karakteristikave të tyre të veçanta sjell një kuptim të ri të tërmeteve që ka një ndikim të drejtpërdrejtë në rrezikun sizmik dhe kodet e ardhshme të ndërtimit.

Si e ndryshoi kjo hartën e tërmeteve të Türkiye-s?

Aktivitetet e pritshme sizmike të shkaktuara në rajon, që zakonisht i referohet si "zona e pasgoditjeve", do të përfshijë një rajon të shtrirë ndoshta më shumë se 500 kilometra, e cila mund të rezultojë me lëkundje mesatare deri ndonjëherë të forta të tokës përgjatë kufirit të kësaj pllake për muaj, ndoshta edhe vite. Sipas statistikave të njohura, priten dhjetëra pasgoditje me magnitudë më të madhe se 6 ballë dhe disa prej tyre ka të ngjarë të shkaktojnë dëme shtesë në vende ku tashmë ka pasur shumë shembje ndërtesash. Duke pasur parasysh disa muaj deri në vite, aktivitetet e vëzhguara sizmike do të kthehen në nivelet e para të tërmetit, por deri atëherë, rreziku dhe rreziku sizmik në këtë pjesë të Türkiye-s pritet të rritet.

Duhet të theksohet se studimet sizmologjike të rrezikut afatmesëm dhe afatgjatë kanë paraqitur dëshmi të akumulimit të tendosjes përgjatë vijës së shkarjes së Anadollit të Veriut që shtrihet më shumë se 1.200 kilometra nga pjesa veriore e Detit Egje në Greqi deri në rajonin e Anadollit Lindor. Prandaj, rreziku sizmik i rajonit ku ndodhën dy tërmete të mëdha të natyrës kalimtare është rritur ndërsa vlerësimet më të gjata të rrezikut sizmik janë ende relevante. Ndoshta tërmeti në Maraş do të shërbejë si një rikujtesë për sizmologët se tërmetet e mëdha nuk ndodhin gjithmonë aty ku priten më shumë. Nga ajo që u tha më sipër, potencon rëndësinë e monitorimit të dendur sizmik të kombinuar me përpjekjet e vazhdueshme shkencore.