Transmetuar më 09-02-2023, 22:00

Të paktën 17.135 njerëz kanë humbur jetën dhe 70.347 të tjerë janë lënduar nga dy tërmetet e forta që goditën Turqinë jugore në fillim të kësaj jave, njoftoi Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).

Media shtetërore në Siri tha se numri i të vdekurve në zonat e kontrolluara nga qeveria ishte rritur në 1,347, nga 1,262.

Ndërsa grupi i mbrojtjes civile të Helmetave të Bardha tha se 1,930 ishin raportuar të vdekur në zonat e kontrolluara nga rebelët në veriperëndim të vendit.

Këto tre shifra e çojnë totalin e përgjithshëm në 20,412.

Tërmetet e së hënës me magnitudë 7,7 dhe 7,6, epiqendra e të cilave ishte në provincën Kahramanmaraş, u ndien nga 13 milionë njerëz në 10 provinca, duke përfshirë provincat Adana, Adıyaman, Diyarbakır, Gaziantep, Hatay, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Şanlıurfa.

Tërmetet u ndien në disa vende në rajon, përfshirë Sirinë dhe Libanin.

AFAD tha në një deklaratë se në terren aktualisht po punojnë më shumë se 120.344 pjesëtarë të ekipeve të kërkim-shpëtimit. Por pasi kanë kaluar gati 4 ditë nga tërmeti 7.8 ballë i të hënës, shpresat për të gjetur të tjerë të mbijetuar është zbehur.

Disa thonë se ka ende njerëz nën rrënoja që mund ta rrisin në mënyrë dramatike numrin aktual të viktimave.

Gjithsej 30.360 njerëz janë evakuuar nga rajonet e goditura nga tërmeti, tha agjencia.

Sot presidenti Recep Tayyip Erdoğan, tha se 6.444 ndërtesa janë shembur në zonën e tërmetit.

“Të hënën e kaluar, përjetuam tërmetin më të keq që ky rajon gjeografik ka parë ndonjëherë në historinë e tij”, theksoi ai.

Më herët gjatë ditës hyri në fuqi gjendja e jashtëzakonshme e shpallur nga presidenti Erdoğan të martën për dhjetë provincat e prekura për të përshpejtuar përpjekjet e shpëtimit dhe ndihmës.