Transmetuar më 09-02-2023, 20:31

Durrës- Policia e Durrësit ka shpallur në kërkim tre persona dhe ka proceduar edhe 4 të tjerë lidhur me një incident të rëndë që ndodhi me grupin e xhirimit të emisionit ‘Fiks Fare’.

Policia vendore informon se ‘në lidhje me rastin e transmetuar mbrëmjen e djeshme, në emisionin investigativ “Fiks Fare”, në të cilin shfaqeshin disa shtetas që gërryenin basenin e lumit Zezë dhe merrnin në kundërshtim me ligjin, inerte nga ky lumë në fshatin Verjon, Fushë Krujë, si dhe se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, u konfliktuan me grupin e xhirimit të këtij emisioni dhe i kërcënuan me armë gjahu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të veprimeve hetimore, të kryera menjëherë sapo morën njoftim për ngjarjen, shpallën në kërkim:

E. K. (drejtuesi i ekskavatorit), G. K., 30 vjeç dhe H. V., 30 vjeç, pasi këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kërcënuar grupin e xhirimit, duke qëlluar me armë gjahu, në basenin e lumit Zezë.

Po në kuadër të veprimeve të para hetimore të kryera për këtë rast, janë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi penal për:

A. L. (drejtuesi i kamionit) dhe E. Gj. (drejtuesi i kamionit), për veprat penale “Shpërdorimi i tokës” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”. Gjithashtu, këtyre shtetasve iu sekuestruan mjetet e tonazhit të rëndë që përdornin në basen.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori dhe nisën hetimet për E. B. dhe F. Sh. (punonjës të IKMT-së, Drejtoria Rajonale Durrës), pasi duke qenë përgjegjës për monitorimin e kësaj zone, dyshohet se kanë konsumuar elemente të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Materialet për këtë rast i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.