Transmetuar më 09-02-2023, 14:48

Tiranë- Janë hapur thirrjet për mësuesit e rinj që duan të fitojnë licencën.

Drejtoritë rajonale të arsimit kanë afishuar njoftimet me procedurën dhe afatet brenda të cilit pranohen aplikimet. I gjithë procesi përmbyllet brenda muajit shkurt, ndërsa provimet parashikohet të mbahen përgjatë prillit.

APLIKIMET

Mësuesit që kanë përfunduar studimet universitare në fushën e mësuesisë, “Bachelor” e “Master” në mësuesi, si dhe plotësojnë kriteret ligjore ftohen të regjistrohen në sezonin e radhës të provimeve të shtetit, i cili do të zhvillohet në muajin prill. Aplikimet tashmë janë hapur dhe të interesuarit duhet të bëjnë gati paketën e dokumenteve deri në fundin e këtij muaji, 24 shkurt. “Mbështetur në Ligjin 69/2012, datë 21.102009 ‘Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë’ i ndryshuar, Ligjit nr.10171 datë 22.10.2009 ‘Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë’. Bazuar në shkresën e MAS me Nr.280/1 prot, datë 30.01.2023 ‘Për zhvillimin e provimit të shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit’.

Zyra Vendore Arsimore Tiranë njofton të gjithë kandidatet e interesuar për provimin e shtetit që plotësojnë kriteret ligjore se afati i dorëzimit të dokumentacionit do jetë nga data 01.02.2023 deri me 24.02.2023”, citohet në njoftimin e zyrës vendore arsimore Tiranë, e cila kërkon që dokumentacioni të depozitohet në rrugë postare, ndërkohë që zyra të tjera procedojnë ndryshe. Për këtë arsye, secili duhet të njihet me zyrën përkatëse të arsimit. Kamza, për shembull kërkon që personi ë paraqitet personalisht me një kartë identiteti për regjistrimin e emrit në listë.

Njëjtë do procedohet edhe me kandidatët për mësues që e përsëritin këtë testim. “Në rast se nuk konfirmohet pjesëmarrja, nuk do të kryhet regjistrimi i tyre për provimin e shtetit”, citohet në njoftimin e kësaj zyre, e cila tregohet e kujdesshme të trajtojë dhe raste të veçanta, siç janë mësuesit që po kryejnë aktualisht praktikën e detyrueshme profesionale, hallkë që duhet ndjekur me patjetër për marrjen e licencës. “Kandidatët që kanë kryer ose po kryejnë aktualisht praktikën profesionale për vitin shkollor 2022-2023, periudha e dytë dhe e parë, do të regjistrohen mbështetur në listat dhe dokumentacionin e dorëzuar për praktikën profesionale pranë Komisionit të Vlerësimit në njësitë arsimore vendore përkatëse”

DOSJA

Një listë me tetë dokumente kërkohen si pjesë e dosjes personale të çdo mësuesi që aplikon për të qenë pjesë e testimit. Në tabelën përbri përmenden ato që duhen: CV, librezë pune ose kopje e certifikatës së praktikës profesionale, diplomë “Bachelor” dhe “Master” bashkë me listën e notave të të dy diplomave të noterizuar, fotokopje të kartës ID, vërtetim të gjendjes gjyqësore, vërtetim vendbanimi dhe një kërkesë me shkrim për t’u regjistruar në provimin e shtetit në të cilën saktësohet hera e pjesëmarrjes në këtë testim. Ata që nuk u shpallën fitues në sezonet e mëparshme, duhet të aplikojnë gjithashtu, duke dorëzuar një paketë tjetër dokumentesh, nga ato të mësuesve që futen për herë të parë në provim. Më konkretisht: kopje të librezës së punës ose certifikatës së praktikës, kopje të diplomave, kartës së identitetit.