Transmetuar më 09-02-2023, 11:45

Matías Messi është detyruar të ndryshojë deklaratat e tij të fundit për Barçën, duke publikuar një tekst kërkim-faljeje në Instagram. Vëllai i madh i Leos, i cili kishte përdorur një ton shumë të ashpër kur iu referua mundësisë së rikthimit në klubin blaugrana, u justifikua duke thënë se ishte vetëm një shaka.

Ai saktësoi se Katalonja është shtëpia e tij e dytë, duke u përpjekur kështu të ulë reaksionin e madh që shkaktuan deklaratat shpërthyese në Twicht e djalit të tij Tomy, ‘Labajada10’. Megjithatë, deklarata e kërkim-faljes nuk i referohet presidentit Joan Laporta askund.

Matías Messi shpjegon: "Dua të justifikohem për atë që thashë në rrjetet sociale, isha vetëm me djalin dhe miqtë duke bërë shaka. Si do të mendoj ashtu për një klub kaq të madh sa Barcelona dhe historia e saj që na ka dhënë shumë, si familjes time, ashtu edhe Leos?

Për ne Katalonja është shtëpia e dytë dhe kjo gjë dihet publikisht. Më vjen shumë keq dhe iu kërkoj falje të gjithëve, sidomos tifozëve të Barcelonës. Së fundi dua të them se kam vetëm rrjetin social instagram”.

Matías Messi, në deklaratat e tij të mëparshme, ishte shumë i ashpër, mbi të gjitha, me Laportën: “Nuk do të kthehemi në Barcelonë. Nëse kthehemi do të bëjmë një pastrim të mirë. Ndër të tjera do të largojmë Joan Laporta, mosmirënjohës me gjithçka i dha Messit Barcelonës”.

Në këtë kërkim-falje ai nuk e përmend në asnjë moment presidentin blaugrana. Madje ka kritikuar Gavi dhe Pedri. I pyetur se cilin prej të dyve preferon, ai nuk i ka rënë shkurt: “Pedri apo Gavi? Nuk më pëlqen asnjëri prej tyre dhe nëse më duhet të zgjedh njërin, marr Gavin. Ai është disi rebel, lufton me të gjithë. Në çdo moment të lë me një lojtar më pak”.

Siç shpjegoi tashmë “Mundo Deportivo”, Zyra e Komunikimit e Leo Messit u kufizua në shpjegimin se ishte një opinion personal dhe individual i vëllait, i cili nuk duhet të përkojë me atë të Leos apo të afërmve dhe miqve të tjerë të ngushtë.

Burimet e Barçës, të konsultuara nga “Mundo Deportivo”, tregojnë se atje janë mërzitur nga këto deklarata, pa mohuar se janë ndjerë keq brenda klubit.