Transmetuar më 09-02-2023, 11:11

Një vit e gjysmë më vonë, transferimi i Lionel Messit nga Barcelona te PSG vazhdon të shkaktojë diskutime. Këtë herë ka qenë vëllai i shtatë herë fituesit të "Topit të Artë", Matias, ai që ka ndërhyrë për këtë çështje.

Deklaratat e argjentinasit janë të ashpra dhe nuk lënë hapësira kthimi në Katalonjë, përveçse në kushte të caktuara. Këto janë fjalët e Matias Messit në kanalin Twitch të djalit të tij (Labajada10):

"Nuk do të kthehemi në Barcelonë. Dhe nëse e bëjmë, do të largojmë para së gjithash Joan Laporta. Ai është mosmirënjohës për gjithçka që Messi i ka dhënë Barcelonës".

Vëllai i Messit nuk i kurseu as tifozët Blaugrana: "Populli atje nuk e ndihmoi. Duhet të dilnin në protestë apo diçka të tillë që Laporta të largohej dhe Messi të qëndronte. Katalanasit janë tradhtarë".

Kjo deklaratë u përhap menjëherë në Spanjë, kështu që Messi përmes zëdhënësit të tij u përpoq të kontrollonte "zjarrin" duke dhënë këto deklarata për gazetën katalanase "Sport": “Mendimi i Matias është personal dhe nuk duhet domosdoshmërisht të përkojë me atë të Leos, të familjes apo njerëzve të afërt me të”.

Futbollisti i PSG-së distancohet nga vëllai i tij, por deklaratat e pakujdesshme të Matias konfirmojnë edhe një herë se largimi i Leos nga Barcelona nuk ishte miqësor dhe se shkaktoi "plagë" që do të kërkojnë pak kohë për t’u shëruar.