Transmetuar më 09-02-2023, 09:16

A mund të kritikohet Erling Braut Haaland? Duke parë numrat e tij, përgjigjja duhet të jetë një "jo" e qartë. Qendërsulmuesi i Manchester City ka shënuar 31 gola në 28 ndeshje, duke arritur tashmë në 25 gola në Premier League, po aq sa Son dhe Salah fituan titullin e golashënuesit më të mirë sezonin e kaluar (jemi vetëm në janar).

Ndaj, dyshimet mbi aftësinë e tij për t’u përshtatur me lojën e Guardiolës duket se janë shuar. Ka nga ata që ende nuk janë të bindur. Ish-lojtari i Manchester City, Dietmar Hamann, foli për talkSPORT dhe shpjegoi pse, pavarësisht shifrave të frikshme, Haaland nuk është lojtari i duhur për klubin anglez:

"Forca e Haaland është saktësisht e kundërta e asaj që është forca e skuadrës së Guardiolës. Manchester City ishte i suksesshëm, sepse ishte një skuadër me topin në këmbë (posedimin), kishte ritëm, rrjedhshmëri dhe i bënte të gjithë të shënonin. Tani ata kanë një futbollist që në pjesën më të madhe të lojës vështirë se merr pjesë në ndeshje, është pothuajse si të luash me 10 lojtarë.

Dhe nuk më intereson sa gola ose “hat-trick” shënon, duhet të shihni sa gola shënon skuadra. Mendoj se në këtë pikë të sezonit City ka shënuar më pak dhe gjithashtu ka më pak pikë. Unë nuk mendoj se Haaland është një lojtar i përshtatshëm për këtë ekip, sepse kjo është gjithçka që City nuk është.

Ai është shumë i mirë kur luan shpejt, te Borussia shënonte pasi shokët e tij rikuperonin topin dhe me tri ose katër pasime topi shkonte në rrjetë. Në vend të kësaj, City e kalon topin 30 ose 40 herë para se të thyejë mbrojtjen kundërshtare. Pra, kjo nuk është loja për Haaland. Për Manchester City, ky është një problem i madh”.

Hamann u befasua kur Haaland përfundoi në “Etihad”: “Ai kurrë nuk e kishte menduar se do të luante te Manchester City, sepse është një lloj lojtari që Guardiola nuk e ka dashur kurrë. Çdo qendërsulmues që ka pasur te Barcelona është larguar, në disa raste Guardiola ka vendosur Lewandowskin në të majtë në tridentin e Bayern Munich; Gabriel Jesus ka luajtur si anësor shumicën e kohës.

Ndoshta menduan të bëjnë biznes; se ky lojtar që mund ta marrim për 50 ose 60 milionë euro vlen dyfish ose trefish, ndaj duhet ta blejmë atë. Haaland do ta ndihmonte shumë Chelsea apo Manchester United. A do të kishte shënuar atje kaq shumë gola? Nuk e di, ndoshta jo, sepse ka më shumë mundësi te City sesa do të kishte me një nga këto skuadra. Por unë nuk mendoj se është një lojtar i përshtatshëm për Manchester City”.