Transmetuar më 08-02-2023, 22:53

TURQI- Autostrada midis qyteteve jugore turke, Iskenderun dhe Antakya, është mbushur me një varg të pafund automjetesh që nxitojnë të arrijnë zonat e shkatërruara, ndër më të goditurat nga tërmeti katastrofik 7.8 ballë dhe pasgoditjet e tij që goditën Turqinë jugore dhe Sirinë veriore të hënën. Vullnetarët u nisën drejt qyteteve, duke sjellë me vete furnizime dhe duke shpresuar të ndihmonin të mbijetuarit nga tërmeti dhe familjet e viktimave.

Në Iskenderun në bregun e Mesdheut, shtëllunga të mëdha tymi të errët dolën nga një zjarr masiv që shpërtheu në portin e qytetit, i cili vazhdoi edhe gjatë natës të së martës, shkruajnë mediat e huaja.

Shumë ndërtesa në qendër të qytetit janë rrafshuar me tokë ose janë bërë të pabanueshme nga tërmetet. Uji kishte vërshuar në rrugët e qendrës së qytetit, ndërkohë që ekuipazhet vazhdonin punën.