
Tiranë- Detaje të reja mësohen nga goditja e mjekes në Tiranë.
Dy të arrestuarit Igli Spahia dhe Bledar Bali qëlluan mjeken pas vëllai i njërit prej të arrestuarve ka ndëruar jetë në spital. Sipas burimve familjari i tyre ishte i shtruar në pavionin e infektivit. Pasi kanë marrë vesh lajmin se ai ka nderruar jetë, familjarët kanë shpërthyer duke goditur mjeken dhe duke e akuzuar atë për neglizhencë.
Në komunikatën e saj policia thotë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit se disa shtetas kishin goditur për shkak të detyrës një mjeke dhe kishin dëmtuar ambientet e spitalit ku ajo punonte, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i veprimeve të shpejta nga shërbimet e Policisë, u arrestuan në flagrancë shtetasit I. S., 41 vjeç dhe B. B., 54 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit: K. S., 50 vjeç (me precedent të mëparshëm penal), E. Xh., 47 vjeç dhe A. M., 55 vjeç.
Këta shtetas, rreth orës 02:00 të ditës së sotme, në ambientet e një spitali shtetëror, kanë goditur me grushte, për shkak të detyrës, një mjeke të këtij spitali, me pretendimin për neglizhencë mjekësore ndaj një të afërmi të tyre, që mjekohej në këtë spital, si dhe kanë dëmtuar dyert dhe dritaret e këtij institucioni.
Gjithashtu, këta shtetas nuk iu janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë që shkuan në vendin e ngjarjes, menjëherë pas marrjes së njoftimit për këtë rast.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Goditje për shkak detyrës”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Shkatërrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim.