Transmetuar më 08-02-2023, 14:30

Qeveria shqiptare miratoi sot një marrëveshje të rëndësishme që shton akoma më tej numrin e vendeve ku shtetasit shqiptarë mund të udhëtojnë pa viza.

Më konkretisht bëhet fjalë për miratimin në parim të “Marrëveshjes me shkëmbim notash për ndryshimin e “Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe për heqjen e ndërsjellë të vizave të hyrjes” e cila do të nënshkruhet së shpejti me shkëmbim notash mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara.

Burime zyrtare nga MEPJ i thanë noa-s se ky vendim hyn në fuqi me publikimin në fletoren zyrtare, e pritshme brenda dy javëve. Pasi të firmoset dhe nga pala tjetër, marrëveshja hyn në fuqi plotësisht.

Kjo marrëveshje do të krijojë padyshim lehtësi të shtuara për të gjithë ata qytetarë shqiptarë që dëshirojnë të udhëtojnë drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, për arsye pune, biznesi apo turizmi.

Të gjithë këta, nga momenti i hyrjes në fuqi të marrëveshjeve s’do të kenë më nevojë për viza hyrëse.

Ne jemi duke punuar me shumë seriozitet për të fuqizuar sa më shumë pasaportën shqiptare e për të zgjeruar sa më shumë hapësirën e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë.

Është një proces që kërkon kohë, që kërkon kujdes, por që ka filluar të japë rezultate konkrete dhe jam optimiste që harta e lëvizjes së lirë për qytetarët shqiptarë do të vazhdojë të zgjerohet edhe më tej në të ardhmen e afërt kur marrëveshje të tilla do të lidhen edhe me vende të tjera, tha ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka. /noa.al