Transmetuar më 08-02-2023, 14:28

SENEGAL- Një tjetër "goditje" për ‘Ndrangheta’. Policia Spanjolle dhe DEA amerikane kanë goditur një tjetër rast trafiku ndërkombëtar droge.

Një italian dhe 6 gambianë përfunduan të arrestuar, 805 kilogramë kokainë u gjetën në një anije peshkimi 335 milje nga Dakar (Senegal) dhe u kapën. Sipas mediave italiane, që kanë cituar burime nga një zëdhënës i policisë spanjolle, bëhet me dije se për grupin hetimet nisën në korrik të vitit të kaluar dhe u fokusuan në veprimtarinë kriminale të një organizate shqiptare të trafikut të drogës.

Një organizatë që kishte, përveç bazës së saj në Spanjë, një infrastrukturë të gjerë detare në Brazil, nga ku merrte me qira varka të ngarkuara me ngarkesa të mëdha kokaine për t’i transferuar organizatës në zonën e Gjirit të Guinesë.

Falë informacionit të gjeneruar nga lëvizjet e varkave të organizatës, hetuesit arritën të përcaktojnë se njëra prej tyre ishte e ngarkuar me një sasi të madhe kokaine gjatë rrugës për në pikën e shkarkimit. Anija u kap 335 milje nga Dakar, pasi mori mallrat nga një anije amë. E brenda saj u gjet kokaina.

Hetimet e mëvonshme zbuluan lidhjet e një pjese të ekuipazhit me ‘Ndrangheta-n’.