


Një vajzë e porsalindur është shpëtuar nga ekipet e shpëtimit nga rrënojat e një ndërtese në veriperëndim të Sirisë, e cila u shkatërrua nga tërmeti i së hënës.
Nëna e saj filloi lindjen menjëherë pas fatkeqësisë dhe lindi para se të vdiste, tha një i afërm.
Babai i saj, katër vëllezërit e motrat dhe një hallë u vranë gjithashtu.
Pamjet dramatike treguan një burrë që mbante foshnjën, të mbuluar me pluhur, pasi ajo u nxor nga rrënojat në Jidayris.
Një mjek në një spital në Afrin aty pranë tha se ajo tani ishte në një gjendje të qëndrueshme.
Ndërtesa në të cilën jetonte familja e saj ishte një nga rreth 50 që u shkatërrua nga tërmeti 7.8 ballë në Jidayris, një qytet i kontrolluar nga opozita në provincën Idlib që është afër kufirit turk.
Xhaxhai i foshnjës, Khalil al-Suwadi, tha se të afërmit nxituan në vendngjarje kur morën vesh për shembjen.
"Ne dëgjuam një zë ndërsa po gërmonim," i tha ai agjencisë së lajmeve AFP, citon noa.al. “Ne e pastruam pluhurin dhe e gjetëm foshnjën me kordonin e kërthizës të paprekur, kështu që e premë dhe kushëriri im e çoi në spital”.
Pediatri Hani Maarouf tha se foshnja mbërriti në spitalin e tij në një gjendje të keqe, me "disa mavijosje dhe plagë në të gjithë trupin e saj".
"Ajo gjithashtu mbërriti me hipotermi për shkak të të ftohtit të ashpër. Ne duhej ta ngrohnim dhe t’i jepnim kalcium," shtoi ai.
Ajo u fotografua e shtrirë në një inkubator dhe e lidhur me një serum, teksa ndërkohë u mbajt një funeral i përbashkët për nënën e saj Afraa, babain Abdullah dhe katër vëllezërit e motrat e saj.
Ata janë në mesin e mëse 2 mijë njerëzve që dihet se janë vrarë nga tërmeti në Siri.
Rreth 9 mijë persona të tjerë janë vrarë në Turqi, ku ishte epiqendra. /noa.al