Transmetuar më 08-02-2023, 11:40

Turqi – Gjendet nën rrënojat e tërmetit tragjik trupa e pajetë të prindëve me origjinë shqiptare dhe djalit të tyre.

Emrat ende nuk bëhen të ditur, por mësohet se trupat e tyre janë nxjerrë sot nga forcat e kërkim-shpëtimit në një lokalitet në qytetin e Kahramanmaras.

Erven Kaya, Kryetar i shoqatës vatra në Adana është shprehur se viktimat ishin shqiptarë me origjinë të hershme, nga zonat çame.

“Jemi munduar shumë për t’i nxjerrë. Sërish tani po shkojmë në Hatay të shpëtojmë të tjerë së bashku me ushtarët. Po përpiqemi të ndihmojmë sa mundemi por edhe shumë persona kanë ndërruar jetë. Në Laramarash ka ndërruar jetë një familje me origjinë shqiptare. Ata ishin shqiptarë nga Çamëria”, tha Kaya në Report Tv.

Lidhur me situatën e rëndë të krijuar nga fatkeqësia natyrore e tërmetit në Turqi, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se të gjithë shtetasit shqiptarë që ndodhen në zonat e prekura nga tërmeti të cilët kanë nevojë për ndihmë të kontaktojnë në:

📍Tiranë: (+355) 696 773 168, 📍Stamboll:(+90) 539 656 621 9 📍Ankara: (+90) 549 561 198 5

në dispozicion në ndihmën tuaj 24/7 dhe në adresën e email-it: [email protected].

Në solidaritet me Turqinë dhe popullin e saj në këto ditë të vështira, MEPJ është në kontakt të vazhdueshëm me autoritet zyrtare turke dhe me familjet shqiptare që ndodhen në këto zona.

Numri i të vdekurve nga tërmeti shkatërrues që goditi Turqinë dhe Sirinë dy ditë më parë e ka kaluar shifrën e 10 mijë të vdekurve.

Prej më shumë dy ditësh, vijojnë kërkimet për gjetjen e personave që janë nën rrënoja.

Në Siri, 2,530 viktima janë konfirmuar si në zonat e kontrolluara nga qeveria ashtu edhe në rajonet e kontrolluara nga rebelët.

Gjithsej 4,654 të lënduar janë raportuar në të gjitha territoret siriane.

Në Turqi, të paktën 8,574 njerëz janë vrarë dhe 34,810 të plagosur.

Erdogan ka shpallur 7 ditë zie, agjencitë dhe punonjësit e shpëtimit kanë paralajmëruar se shifrat mund të rriten, sidomos në Siri, pasi ka shumë njerëz ende të bllokuar nën rrënoja.