Transmetuar më 08-02-2023, 10:20

Ish-trajneri i RB Leipzig, Domenico Tedesco, është emëruar në stolin drejtues të kombëtares së Belgjikës, duke zëvendësuar në këtë post Roberto Martinez. Lajmi u bë i ditur sot nga federata e futbollit të vendit përkatës.

Federata Belge e Futbollit tha se 37-vjeçari do të nënshkruajë një kontratë deri pas “Euro 2024” dhe se ndeshja e tij e parë në krye do të jetë kualifikuesja hapëse kundër Suedisë në Stokholm, më 24 mars. Tedesco, i cili ka lindur në Itali, por është rritur në Gjermani, ka drejtuar gjithashtu Schalke 04 dhe Spartak Moska.

“Për mua është një nder i madh të jem trajneri i ri i Belgjikës, – tha Tedesco në një deklaratë. – Mezi pres të marr detyrën dhe jam jashtëzakonisht i motivuar. Kam pasur një ndjenjë shumë të mirë që në bisedën e parë me drejtuesit e futbollit belg".

Martinez e la këtë rol pasi Belgjika u eliminua qysh në raundin e parë (fazën në grupe) të Kupës së Botës në Katar, dhjetorin e kaluar. Më pas ai është emëruar trajner i Portugalisë.

Planet e Belgjikës për të emëruar Tedesco ishin penguar nga negociatat e kontratës së tij me Leipzig. Ai u pushua nga puna në shtator, por ka ende të drejtë për një milion euro paga, thanë burimet për “Reuters” të martën.