Transmetuar më 08-02-2023, 10:10

Tiranë- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka mbyllur hetimet për dosjen "Gërdeci", duke e dërguar në Gjykatë. 2 vite pas rihapjes së hetimeve, SPAK ka vendosur që të dërgojë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ish-ministrin e Mbrotjes gjatë kohës kur ndodhi tragjedia që mori 26 jetë njerëzish, të cilin e akuzohen se ka kryer veprat penale: “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal.

Sipas SPAK, Fatmir Mediu akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave për trajtimin e municioneve. Po ashtu, në njoftimin paraprak të dhënë nga Prokuroria, akuzohet Mediu ka dëmtuar kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit dhe kanë sjellë avantazhe të padrejta për shoqëritë "SAC inc" dhe "Albademil sh.p.k". Por hetimet nuk janë ndalur me kaq, pasi janë "shtrirë" edhe në SHBA për të mësuar më shumë lidhur me procedurën e shitjes së municioneve nga Ministria e Mbrojtjes dhe ndërmarrjes “MEICO” ndaj shoqërive të huaja “Evdin” ltd, me seli në Qipro dhe “AEY”, me seli në Florida. Po ashtu, është kërkuar edhe një letër porosi për të marrë në pyetje të Efraim Diverolit, një emër ky i përmendur për kontratën me Ministrinë e shqiptare të Mbrojtjes.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, mbi bazën e vendimit nr.205, datë 24.09.2021 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë (që ka vendosur revokimin e vendimit nr.6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për pushimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu), ka rregjistruar proçedimin penal nr.279 viti 2021 dhe ka kryer hetimet paraprake lidhur me këtë proçedim penal.

Në përfundim të hetimeve paraprake është paraqitur në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesë për dërgimin në gjyq të çështjes penale nr.279 viti 2021, në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu, i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal.

I pandehuri Fatmir Mediu akuzohet se në lidhje me proçesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin dhe V.K.M Nr.138, date 14. 03. 2007 “Per proçeduren e trajtimit te armeve, teknikes dhe pajisjeve te forcave te armatosura, te hequra nga armatimi dhe perdorimi, persa i perket shitjes per çmontim dhe çmilitarizim te nje sasie municioni”, të cilat kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit dhe kanë sjellë avantazhe të padrejta për shoqëritë SAC inc dhe Albademil sh.p.k. Gjatë hetimeve të këtij proçedimi penal janë kryer gjithashtu veprime të mëtejshme në lidhje me proçedurën e shitjes së municioneve luftarake nga Ministria e Mbrojtjes dhe ndërmarrja “MEICO” ndaj shoqërive të huaja “Evdin” ltd, me seli në Qipro dhe “AEY”, me seli në Florida.

Lidhur me këtë episod, hetimet paraprake nuk kanë përfunduar dhe është vendosur ndarja e çështjes penale, duke u rregjistruar proçedimi penal nr.279/1 viti 2023, për veprat penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore apo i të zgjedhurve vendore” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 260 dhe 287 të Kodit Penal.

SPAK kërkoi rigjykimin e Fatmir Mediut, pasi e akuzon si një nga ish-zyrtarët përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, me 26 të vrarë dhe qindra të plagosur. Gjykata e Lartë vendosi t’ia dërgojë këtë çështje për kompetencë GJKKO-së, me arsyetimin se me ndryshimet e fundit ligjore në kuadër të reformës në drejtësi, i takon asaj ta shqyrtojë dosjen penale ndaj ish-zyrtarit të lartë. Apeli i GJKKO vendosi hapjen e çështjes duke marrë të pandehur ish-ministrin e Mbrojtjes në qeverinë "Sali Berisha". Ndërkohë Mediu doli kundër dhe dorëzoi rekursin në Gjykatën e Lartë ku kundërshtoi, por kërkesa e tij u rrëzua.

Nga shpërthimi i fuqishëm i 15 marsit të vitit 2008 që ndodhi rreth orës 12:05, humbën jetën 26 persona, e ndërsa u plagosën mbi 300 të tjerë. hpërthimi ndodhi në një "fabrikë" për demontimin e armëve, duke lënë të rrafshuara më shumë se 100 banesa që ishin pranë. Tragjedia e rëndë përfundoi në dyert e gjykatave shqiptare, por sot nuk ka asnjë person përgjegjës që ndodhet pas hekurave. Nga kjo tragjedi pati persona që ndërruan jetë në mënyrë të pashpjegueshme, pati dëshmitarë që u arratisën, ushtarak që morën azil politik, por për familjarët asnjëherë nuk u vendos drejtësi.

Por ishin prindërit e 7-vjeçarit, Erison Durdaj që humbi jetën tragjikisht nga shpërthimi i Gërdecit në pranverën e 2008-ës, Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, të cilët iu drejtuan me një letër zyrtarisht Gjykatës së Posaçme, ku i kërkonin pranimin e kërkesës së SPAK për nisjen e hetimeve ndaj Mediut. Në letrën drejtuar GJKKO, familja Durdaj shprehej se dosja përmbante shumë fakte që mund të cilësohen jo vetëm si shpërdorim detyre. Tani dosja u hap, pritet gjykimi!