Transmetuar më 07-02-2023, 22:32

Ekuador- Ngjarje e rëndë në Ekuador. Kandidati për kryetar bashkie Omar Menendez u vra vetëm disa orë para hapjes së qendrave të votimit. Ai fitoi zgjedhjet në qytetin Puerto Lopez në Ekuador.

Mediat vendase raportojnë se, Menendez, 41 vjeç, u qëllua dhe u vra nga persona të armatosur që hynë në dhomën ku ai ishte me punonjësit e fushatës.

Në sulm u vra edhe një adoleshent. Autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes me një motoçikletë. Policia po heton ende për motivin e kësaj ngjarjeje.

Një anëtar i partisë së Menendez pritet të zëvendësojë politikanin e vrarë si kryetar bashkie. Asnjë arrestim nuk është bërë ende në lidhje me vrasjen e Omar Menendez. Zgjedhjet komunale u mbajtën në sfondin e një vale kriminale në rritje të lidhur me ndikimin në rritje të bandave të dhunshme të drogës në Ekuador. Menendez nuk ishte politikani i vetëm i vrarë në prag të zgjedhjeve.

Dy javë më parë, Julio César Farachio, një kandidat për kryetar bashkie të qytetit bregdetar të Salinas, ishte qëlluar gjithashtu për vdekje.