Transmetuar më 07-02-2023, 19:56

Revista franceze "Charlie Hebdo" ka shkaktuar zemërim dhe reagime të ashpra pas publikimit të karikaturës skandaloze duke tallur Turqinë pas tërmeteve vdekjeprurëse që goditën vendin të hënën.

Karikatura e shpërndarë me titullin "karikatura e ditës" në Twitter, tregon ndërtesa të shembura dhe të dëmtuara, një automjet të përmbysur dhe kodra rrënojash.

Karikatura e publikuar nga revista franceze

"Tërmet në Türkiye", shkruhej në këndin e djathtë lart të karikaturës. "Nuk ishte as nevoja për të dërguar tanke", shkruhej në fund.

Në rrjetet sociale ka pasur reagime të ashpra si dhe zhgënjim dhe zemërim ndaj postimit të neveritshëm.

"Charlie Hebdo" është një revistë satirike franceze e njohur gjithashtu për karikaturat e saj që fyen Profetin Muhamed.

Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) ka bërë të ditur se të paktën 4.544 persona kanë humbur jetën dhe 26.721 të tjerë janë plagosur në dhjetë provinca të Turqisë pas dy tërmeteve të forta që dje goditën pjesën jugore të vendit, raporton Anadolu.

Dje herët në mëngjes, një tërmet me magnitudë 7.7 goditi provincën Kahramanmaraş. Më pas, rreth nëntë orë më vonë, një tërmet me magnitudë 7.6 me qendër në Kahramanmaraş përsëri dridhi rajonin, duke prekur disa provinca të tjera, përfshirë Adana, Adıyaman, Diyarbakır, Gaziantep, Hatay, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Şanlıurfa.

Tërmeti u ndje edhe në disa vende të rajonit, përfshirë Libanin dhe Sirinë.

AFAD njoftoi se gjithsej 59.971 zyrtarë të urgjencës janë duke punuar në zonë, përfshirë 3.200 persona nga 65 vende.