Transmetuar më 07-02-2023, 17:06

Turqi- Episodet nga më të trishtat vijnë nga vendi ku u godit nga tërmeti në Turqi.

Fotografi i AFP-së, Adem Altan kapi sot një seri fotografish që tregojnë Mesut Hancer të ulur mes një ndërtese të shkatërruar ndërsa shtrëngon dorën e vajzës së tij 15-vjeçare Irmak, e cila u vra në tërmet.

Ekipet e shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë për të mbijetuar në rrënojat e ndërtesave të rrafshuara mes kushteve të rënda të motit që pritet të përkeqësohen në ditët në vijim.

Miliona njerëz kanë mbetur të pastrehë pas tërmeteve të njëpasnjëshme në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë. 5016persona kanë humbur jetën në Turqi dhe Siri nga tërmeti vdekjeprurës ndërsa rreth 24 mijë të tjerë janë të plagosur në të dyja shtetet. Në Turqi, sipas të dhënave zyrtare, janë 3381 të vrarë dhe më shumë se 20426 të plagosur.

Tërmeti me magnitudë 7.8 Rihter që ndodhi në orët e para të së hënës, në rajonin Kahramanmara, në pjesën juglindore të Turqisë dhe afër kufirit me Sirinë, ishte sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së më i forti në botë që nga gushti 2021.