Transmetuar më 08-02-2023, 07:45

“La Masia”, akademia e njohur e Barcelonës është vatër e kampionëve të mëdhenj, por këtë herë “fidanishtja” e klubit katalanas është gati të mirëpresë një talent të vogël, që vjen nga Brazili.

Emri është garanci: Joao Mendes, por për të gjithë tani e tutje do të jetë Ronaldinho Jr. Po flasim për djalin e kampionit brazilian, Ronaldinho Gaucho, i cili ka nënshkruar kontratë me Barcelonën.

Lajmin e ka dhënë vetë babai i talentit të ri, i rritur në sektorin e të rinjve të Cruzeiro. “Pas nënshkrimit të tij do të më shihni shpesh këtu, – deklaroi ish-kampioni brazilian, legjendë e Barcelonës, në radio RAC1. – Me kalimin e djalit këtu do të mund të vij shpesh në Barcelonë”.

Referuar së shkuarës së ndritur me Blaugrana-t, ikona e futbollit brazilian, "magjistari" i topit shtoi: "Unë nuk jam kurrë jashtë klubit blaugrana. Barcelona është pjesë e jetës sime. Kudo që shkoj e marr Barcelonën me vete. Me mbërritjen e djalit tim te Barça do të jem më i pranishëm".