Transmetuar më 07-02-2023, 13:10

Viktimat e tërmetit të bllokuar prej  mëse 36 orësh dramatike, po dërgojnë mesazhe me tekst dhe zanore nga rrënojat ku kanë ngecur prej mëngjesit të së hënës kur në orën 02.17 u shënua tërmeti katastrofik 7.8 ballë.

Ndërsa në orët e para u raportua për rreth 300 të vdekur, dje pasdite ky numër u dhjetëfishua pasi shumë njerëz u nxorën të vdekur nga rrënojat.

E ndërkohë sot ka shkuar në më shumë se pesë mijë numri i të vdekurve. Kurse raportohen dhe rreth 25 mijë të plagosur.

Një gazetare turke në Stamboll tregon se ka folur me njerëz të ngecur nën rrënoja që kërkojnë ndihmë duke u dërguar mesazhe mediave.

"Njerëzit janë ende nën ndërtesat e shembura, ata kanë nevojë për ndihmë," thotë Ibrahim Haskologlu.

Me origjinë nga Malatya – një zonë e prekur rëndë nga tërmetet e djeshme – ai thotë se po planifikon të shkojë në shtëpi sa më shpejt që të mundet për të ndihmuar aty ku duhet.

Ai tregon se njerëzit po i dërgojnë atij dhe gazetarëve të tjerë video, shënime zanore dhe vendndodhjet e tyre të drejtpërdrejta nga nën rrënoja.

"Ata po na tregojnë se ku janë dhe "ne nuk mund të bëjmë asgjë", thotë Haskologlu, duke shtuar se Turqia ka nevojë për të gjithë ndihmën ndërkombëtare që mund të marrë.

Tërmeti me magnitudë 7.8 goditi afër Gaziantep ndodhi në orët e para të së hënës, ndërsa njerëzit ishin në gjumë.

Një lëkundje me magnitudë 7.7 goditi më pas rreth orës 13:30 me kohën lokale, për të cilën zyrtarët thanë se "nuk ishte një pasgoditje".

Deri tani më shumë se 3,549 njerëz u vranë vetëm në Turqi pas tërmetit të parë dhe më shumë se 23,000 u plagosën.

Më shumë se 1600 njerëz raportohet të kenë vdekur në Siri. Mijëra të tjerë janë plagosur./noa.al